Ferrari dhe Mercedes reagojnë pas shkeljeve të Red Bull: Shkeljet ‘minore’ mund të kenë impakt të madh
Dy prej skuadrave më të mëdha në Formula 1, Ferrari dhe Mercedes kanë reaguar pas ndodhive të fundit në F1. Skuadra e Red Bull, e cila këtë vit po prin kampionatin si në konstruktorë ashtu edhe me pilotë, është shpallur fajtore për shkelje të rregullave. Sipas raportit të FIA, Red Bull ka bërë disa shkelje…
Sport
Dy prej skuadrave më të mëdha në Formula 1, Ferrari dhe Mercedes kanë reaguar pas ndodhive të fundit në F1.
Skuadra e Red Bull, e cila këtë vit po prin kampionatin si në konstruktorë ashtu edhe me pilotë, është shpallur fajtore për shkelje të rregullave.
Sipas raportit të FIA, Red Bull ka bërë disa shkelje në tejkalimin e limitit të buxhetit, por këto shkelje janë vlerësuar si ‘minore’, përcjell lajmi.net. Si pasojë e vlerësimit, Red Bull s’do të humb titullin e kampionit, as s’do të ndryshojë renditje në këtë sezon.
Por, nga Mercedes dhe Ferrari besojnë se konsiderimi si ‘gabim minor’ i kalimit të limitit buxhetor, mund të ketë impakt të madh.
“Anash implikimeve në titullin e vitit të kaluar, ka implikime edhe në kampionatin aktual. Të presim para se të bëjmë një gjykim, por edhe nëse është 4 milionë, atëherë është shumë. 4 milionë nuk është ‘shkelje minore’”, ka thënë Binotto i Ferrari, transmeton lajmi.net.
Edhe Toto Wolff i Mercedes e sheh si problematike fjalën “minor”.
“Mendoj se fjala ‘minor’ është jo korrekte, sepse nëse shpenzon 4 milionë më shumë dhe je akoma në zonën e ‘shkeljes minore’, ka shumë impakt në kampionat”, ka thënë Wolff.
Sipas Binotto të Ferrari, 4 milionë përkthehen si zhvillime në pjesë shtesë për gjithë sezonin, si dhe rreth 70 njerëz në stafin teknik që mund të gjejnë zgjidhje për gati gjysmë sekonde për xhiro. /Lajmi.net/