Të rritesh nga ata që nuk të lindën, mungon interesimi për adoptim e fëmijëve mbi 4 vjeç

Dashurinë dhe përkujdesin e atyre që i sollën në jetë disa nuk e përjetuan kurrë e disave ua ndërprenë në muajt apo vitet e para në rrugëtimit në këtë botë. Atë që disa fëmijëve nuk ua dhanë familjet biologjike, ua jep institucioni me burimin më të madh të dashurisë dhe kujdesit, SOS Fshati me qendër…

Lajme

10/10/2022 14:55

Dashurinë dhe përkujdesin e atyre që i sollën në jetë disa nuk e përjetuan kurrë e disave ua ndërprenë në muajt apo vitet e para në rrugëtimit në këtë botë. Atë që disa fëmijëve nuk ua dhanë familjet biologjike, ua jep institucioni me burimin më të madh të dashurisë dhe kujdesit, SOS Fshati me qendër në Prishtinë.

Aktualisht në këtë institucion gjenden 34 fëmijë, ndërsa që nga viti 2004 e deri më tani SOS Fshati në Prishtinë është përkujdesur për rreth 600 fëmijë, prej tyre 108 vetëm gjatë vitit 2022.

Por, po konsiderohet se ka pak kërkesa për adoptim, e sidomos për fëmijët mbi 4-5 vjeç, shkruan lajmi.net.

Në mënyrë që fëmijët e braktisur të cilët nuk arrijnë të adoptohen apo të ribashkohen me familjet biologjike, mos të ndjenjë mungesën e familjes, në kuadër të shërbimeve në këtë institucion është themeluar edhe Sos Familja.

Mirëpo, kujdesi nuk përfundon vetëm me kaq.

Udhëheqësi i Kujdesit Alternativ në Sos Fshat, Besnik Peci ka treguar se tashmë ekziston edhe programi i gjysmë-pavarësimit, në kuadër të cilit ofrohet mbështetje për të rinjtë e rritur në Sos edhe pas moshës 18-vjeçare.

“Tani në kuadër të SOS Familjeve i kemi 34 fëmijë ndërsa pjesë të programit të gjysmë pavarësimit aktualisht i kemi 13 fëmijë të cilët marrin mbështetje nga SOS Fshatrat e fëmijëve të Kosovës. Për ata që nuk e dinë, programi i gjysmë pavarësimit është një program i cili tri vite pasi që të arrijnë moshën e pjekurisë të jenë të aftë për të dalë dhe për të jetuar vetë në mënyrë të pavarur, ne i mbështesim edhe tri vite ata edhe në aspektin ekonomik por edhe me këshilla psiko-sociale dhe mjekësorë, në anën tjetër i mbështesim edhe i motivojmë edhe punojmë me ata direkt që me i ngrit nivelin e punësueshmërisë, me e ngrit nivelin e motivit për studime dhe në anën tjetër për punsueshmëri të qëndrueshme ku ata nesër munden me qenë të pavarur dhe pjesë e rëndësishme dhe e dobishme e shoqërisë”, tregon ai.

Gjatë vitit 2022 nga Sos Fshati në Prishtinë është adoptuar vetëm një fëmijë, derisa fëmijët e tjerë të moshave të ndryshme vazhdojnë të jetojnë në familjen e madhe që ofron ky institucion.

“Ne aktualisht i kemi prej moshës 4 vjeçare deri në moshën 18 vjeçare, 34 fëmijë që janë pjesë e SOS Familjeve, dhe i kemi 13 të rinj të cilët janë pjesë e programit të gjysmë pavarësimit që janë prej moshës 18 deri në moshën 21-22 vjet. Zakonisht në të kaluarën kryesisht kanë shkuar në adoptim moshat e vogla të fëmijëve, ani pse ligji nuk e ndalon që në rastet kur janë pjek kushtet dhe fëmiu nuk ka përkujdesje prindërore dhe e ka të hekur përgjegjësinë prindërore të shkojë në adoptim. Por si kërkesa nga ana e popullatës sonë janë të vogla si rrjedhojë, do të thotë fëmijët kryesisht që i kanë mbi 4-5 vjeç ka raste të rralla kur kanë shkuar në adoptim”, u shpreh ai.

E, fëmijëve që rriten në këtë institucion, përveç kujdesit të të gjitha formave dhe shkollimit, u mundësohet edhe ndjekja e kurseve të ndryshme.

“Fëmijët të cilët nuk janë krijuar kushtet dhe nuk janë krijuar rrethanat për adoptim vazhdojnë të jetojnë në kuadër të familjes së madhe të Sos Fshatrave të Kosovës ku për ta përkujdeset një Sos Nanë edhe një Sos Teze, gjithashtu këta fëmijë marrin shërbime prej epikes psiko-pedagogjike ekip e cila dizejnon më tutje të gjitha planet individuale të zhvillimit duke i përfshi nevojat që i kanë fëmijët për zhvillim në të gjitha fushat e zhvillimit. Bazuar në këto nevoja do të thotë ekipa e Sos Fshatrave të fëmijëve të Kosovës dizejnon programe, trajnime, aktivitete që të gjitha shkojnë në funksion të zhvillimit të fëmijëve, e këto aktivitete me raste kanë karakter rekreativ, me raste kanë karakter njohës dhe zhvillues dhe me raste kanë karakter socializues edhe krejt kjo shkon në funksion të zhvillimit të tyre”, ka thënë ai.

Ndërkaq, fondacioni SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë vepron që nga viti 1999 dhe tashmë është përkujdesur për mbi 1000 fëmijë të braktisur dhe nevojtarë. Burim kryesor i financimit të SOS Fshatrave të Fëmijëve janë donacionet, sponzorimet, donacionet në mallra si dhe shërbimet tjera nga i gjithë vendi. /Lajmi.net/