Mungesa e kontrollit të cilësisë së naftës, MINT zgjedh t’i pezullojë kompanitë në vend të monitorimit
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka pezulluar lejet për katër kompani të derivateve të naftës, të cilat merren më përpunimin dhe shitjen më shumicë të këtij produkti. Por, ky vendim duket se po vjen si konsekuencë e mungesës së kontrollit të cilësisë së naftës në Kosovë.
Lajme
Petrol Company, Kosova Rafinery, Kulla Exim dhe In Oil, janë kompanitë e dyshuara, të cilave u janë pezulluar lejet. Kjo ka ndodhur më 19 prill sipas ministres së MINT, Rozeta Hajdari e cila foli në një konferencë për media bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, shkruan lajmi.net.
Hajdari theksoi se bazuar në faktet e Doganës këto kompani rrezikojnë cilësinë e produkteve dhe mund t’i sjellin dëm buxhetit të shtetit. Sipas saj, disa nga subjektet u kanë shitur produkte të naftës kompanive të palicencuara, nuk kanë përdorur mjete matëse të verifikuara dhe kanë shmangur akcizën duke deklaruar gabimisht përbërjen e produktit.
E arsyetimet që ministrja Hajdari i dha për këtë vendim, si duket lidhen me një tjetër problem të madh në tregun e naftës në Kosovë, atë të mungesës së kontrollit të cilësisë. Hajdari tha se gjatë javëve të fundit janë marrë mostra të dizelit në Kazermat e FSK-së dhe janë gjetur shumë raste të jokonformitetit.
Vazhdimisht raportohet se tregu i naftës po vazhdon të jetë ndër më problematikët në tregun e Kosovës. Mungesa e kontrollit të cilësisë po i rrit mundësitë për keqpërdorime në këtë treg, ndërsa Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë duket se ka “gjetur” një mënyrë më të thjesht për këtë problem, t’i pezullojë kompanitë.
Në Kosovë, tash e sa kohë ka pasur raportime për cilësinë e dobët të naftës. Mediat vazhdimisht kanë ofruar faktet e tyre se në Kosovë importohet dhe shitet naftë me kualitet të ulët, e që madje tëhollohet me ujë e vaj ushqimor, por lidhur me këtë problematikë s’janë deklaruar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Lajmi.net, tash e disa javë ka kërkuar përgjigje nga MINT lidhur me kontrollin e cilësisë së naftës, për çka kjo ministri është përgjegjëse, njëlloj siç është përgjegjëse për informimin e bizneseve dhe qytetarëve, por këta të fundit s’janë përgjigjur.
MINT nuk është përgjigjur në pyetjet e lajmi.net as lidhur me inspektimet, hetimet ose gjetjet e rasteve të tilla. Përgjigje lidhur me këtë çështje, lajmi.net nuk ka marrë as nga Qeveria e Kosovës e as nga Dogana e Kosovës, por në anën tjetër, raportimet për tëhollimin e naftës me materiale të tjera kanë vazhduar.

Javë më parë, rrjeti i Organizatave Joqeveritare “AVONET” pati protestuar para MINT lidhur me kontrollin e cilësisë së naftës duke pretenduar se informaliteti dhe mungesa e kontrollit të cilësisë në tregun e Kosovës po e ndihmon korrupsionin dhe abuzimin, veçanërisht në industrinë e naftës.
Sipas AVONET në Kosovë ka përzierje dhe hollim të naftës nga kompanitë, gjë që e rrit fitimin e tyre, por gjithashtu mungesa e cilësisë së naftës është e dëmshme jo vetëm për veturat e qytetarëve, por edhe të shëndetit publik.
“Në Kosovë kemi të bëjmë me përzierje dhe hollim të naftës nga kompanitë që të rrisin fitimet e tyre. Mungesa e cilësisë së naftës në Kosovë është e dëmshme për shëndetin publik dhe po ashtu dëmton veturat e secilit qytetar duke rritur kostot e mirëmbajtjes së tyre. Krahas kësaj, praktikat korurptive nga kompanitë e naftës dëmtojnë buxhetin publikë duke shmangur pagesën e taksave.”, thuhet në komunikatën që kishte lëshuar AVONET.
E kjo protestë e rrjetit të OJQ-ve, “AVONET-it” nuk i ka pëlqyer Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të cilët reaguan duke thënë se raportimi i tyre nuk është i vërtetë dhe duke thënë se kontrollojnë cilësinë e karburanteve të lëngëta, por përgjigje të saktë për lajmi.net nuk kanë dhënë.
Madje, MINT ftoi edhe prokurorinë e Kosovës t’i hetojë deklaratat e AVONET.
“Më 23 shkurt 2022, Rrjeti i Organizatave Jo-Qeveritare “AVONET”, ka mbajtur një aktivitet pranë Ministrisë së Industrisë, Ndermarresise dhe Tregtisë (MINT), me temën “Informaliteti dhe mungesa e kontrollit të qeverisë në tregun e brendshëm po ndihmon korrupsionin dhe abuzimin, veçanërisht në industrinë e naftës”, gjithashtu ka lëshuar komunikatë për media me titull: “Qeveria po i favorizon naftëtarët dhe jo qytetarët e interesin publik”. Për hir të informimit të saktë të publikut, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mision sundimin e ligjit dhe interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, respektivisht Inspektorati i Tregut monitoron rregullisht cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës në tregun e brendshëm, duke u bazuar në Ligjin nr.2004/5 për Tregtinë me Naftë dhe Derivate të Naftës dhe Udhëzimit Administrativ nr.01/2017 për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës. Monitorimi i cilësisë bëhet përmes marrjes së mostrave dhe testimit në laboratorët e akredituar (brenda dhe jashtë shtetit). Vetëm gjatë vitit 2021 janë testuar mbi 730 mostra të karburanteve të lëngëta të naftës. MINT rithekson se ligji i ri për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme (pas 10 vitesh), me 8 shkurt të këtij viti, është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe i njëjti shumë shpejt do të fillojë të zbatohet. MINT vlerëson se komunikata e lëshuar nga “AVONET” është deklaratë e pasaktë dhe e pabazuar në fakte dhe prova, prandaj si të tillë e konsideron tentim të radhës për zbehjen e qeverisjes së mirë dhe me duar të pastra. Megjithatë, në rast se “AVONET” kanë dëshmi dhe prova lidhur me rastet e favorizimit të naftëtarëve, informalitetit, korrupsionit, abuzimit, përzierjes dhe hollit të naftës, dëmtim të veturave nga karburantet, kërkojmë që rastet e tilla t’i denoncojnë pranë organeve kompetente. Gjithashtu, MINT fton Prokurorinë e Republikës së Kosovës t’i hetojë deklaratat e paqëndrueshme të përfaqësuesve të OJQ “AVONET”, që i kanë bërë në prezantimet dhe publikimet publike dhe në media, më 23 shkurt 2022.”, thuhej në komunikatën e MINT. /Lajmi.net/
