Këta janë shtatë personat nga Ballkani Perëndimor që SHBA i futi në listën e zezë

Zyra e Departamentit amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) publikoi të hënën një listë të të sanksionuarve për vepra korrupsioni, në të cilën përfshihen shtatë persona nga Ballkani Perëndimor.

Lajme

11/04/2022 17:42

Nga Shqipëria, në listën e Departamentit të Thesarit janë: Aqif Rakipi dhe Ylli Ndroqi.

“Aqif Rakipi është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Thesarit.

Për Ylli Ndroqin thuhet se “është një pronar mediash, pasuritë e të cilit janë sekuestruar nga Qeveria e Shqipërisë në vitet 2020 dhe 2021, për veprimtari të mëparshme kriminale”.

Në listën e Departamentit të Thesarit është edhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, dhe ish-shefi i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit në këtë vend, Sasho Mijalkov.
Nga Bosnje e Hercegovina janë: ish-nënkryetari i Partisë për Veprim Demokratik (SDA), Asim Sarajliq, dhe ish-kryeprokurorja Gordana Tadiq.

Svetozar Maroviq, ish-zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Socialistëve në Mal të Zi, është po ashtu në listën e të sanksionuarve nga Departamenti amerikan i Thesarit.

Gruevski, Mijalkov dhe Tadiq janë edhe në listën e të sanksionuarve nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Atyre dhe anëtarëve të familjeve të tyre u është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Firma hungareze e Gruevskit, I.C.I.C. KFT, është sanksionuar po ashtu.

Në vendimin e Departamentit të Thesarit thuhet se “të gjitha pronat dhe të drejtat pronësore të individëve dhe subjekteve të listuara, që ndodhen në Shtetet e Bashkuara ose i zotëron ose kontrollon një shtetas amerikan, janë të bllokuara dhe duhet të raportohen në Thesar ose OFAC”.

“Njerëzit e sanksionuar sot përbëjnë një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal, besimin institucional dhe aspiratat e atyre që duan qeverisje demokratike dhe të matur në Ballkanin Perëndimor”, tha Brian E. Nelson, nënsekretar i Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare.

“Lufta kundër korrupsionit në mbarë botën është një prioritet kryesor i administratës Biden-Harris dhe Thesari nuk do të hezitojë t’i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për t’i mbajtur përgjegjës aktorët e korruptuar dhe destabilizues”, shtoi ai.

Më 8 dhjetor të vitit 2021, Departamenti amerikan i Thesarit ka sanksionuar shtatë serbë nga Kosova për përfshirje në aktivitete të krimit të organizuar dhe korrupsionit: Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq, si dhe Radulle Steviq.

Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Vesellinoviq është identifikuar si udhëheqës i grupit të krimit të organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.

Përveç tyre, në rajonin e Ballkanit, Departamenti amerikan i Thesarit ka sanksionuar më 5 janar të këtij viti edhe anëtarin serb të Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.

Më 11 prill, Dodikun e ka sanksionuar edhe Mbretëria e Bashkuar.

Millorad Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës dhe Zhelka Cvijanoviq, presidente e entitetit Republika Sërpska. Fotografi e 3 tetorit 2018.

Sipas ueb-faqes së Departamentit amerikan të Thesarit, Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja menaxhon dhe zbaton sanksionet ekonomike dhe tregtare, bazuar në politikën e jashtme të SHBA-së dhe sigurinë kombëtare.

Sanksionet aplikohen kundër vendeve dhe regjimeve të huaja që janë në shënjestër, terroristëve, trafikantëve ndërkombëtarë të drogës dhe atyre që përfshihen në aktivitete që lidhen me përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë dhe me kërcënime të tjera për sigurinë kombëtare, politikën e jashtme ose ekonominë e Shteteve të Bashkuara.