Prishtina arrin fitore të rëndësishme ndaj Malishevës

Prishtina ka arritur fitore ndaj Malishevës, në kuadër të xhiros së 28 në Superligën e Kosovës.

Sport

10/04/2022 15:25

Kryeqytetasit fituan me rezultat 3:2 ndaj Malishevës.

Prishtina ka marrë një fitore mjaft të rëndësishme, pasi kërkon të largohet nga zona e barazhit.

Pjesa e parë kishte raste nga dy skuadrat, por më efikase u treguan mysafirët.

Ishte minutën e 45` kur shënoi Pefqeli një gol të bukur, për t`ia dhuruar epërsinë Malishevës.

Pjesa e parë u mbyll me fitore minimale 0:1 të mysafirëve, shkruan lajmi.net.

Po rridhte minuta e 57` e ndeshjes kur Mankenda shënoi për të barazuar rezultatin në 1:1.

Pas vetëm 10 minutash, Leotrim Kryeziu, i dhuroi avantazhin 2:1 Prishtinës.

Pas golit të dytë të ekipit vendas, Malisheva po kërkonte golin e barazimit. Ishte Dren Kryeziu i cili në minutën e 75`, shënoi për rezultatin 2:2.

Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, John shënoi për t`ia dhuruar epërsinë prishtinasve.

Pas kësaj fitore Prishtina qëndron në vendin e pestë me 38 pikë, ndërsa Malisheva në pozitën e shtatë me 34 pikë gjithsej./Lajmi.net/