Huliganizmi në ngjarjet sportive – Si (duhet të) dënohet?
Rasti i fundit i dhunës fizike ndaj portierit Stivi Frashëri në ndeshjen Ballkani – Gjilani, riaktualizoi një problem të vjetër në sportin kosovar që, për ironi, assesi nuk harrohet e vjetërsohet.

Sport
Huliganizmi në sportin vendor vazhdon të jetë njëri nga problemet qenësore të cilin institucionet gjegjëse gëlojnë në luftimin e tij.
Jo-dënimet, ose, thënë më mirë, dënimet e lehta e vazhdojnë ecurinë e një rrethi vicioz që prodhon përsëritje të ngjarjeve të tilla.
Dënim me gjobë ose burgim me kusht; ky është ndëshkimi që mund të marrin dorasit që sulmuan portierin e Ballkanit, nëse akti i tyre klasifikohet si vepër penale “lëndim i rëndë trupor”, shkruan lajmi.net.
Të paktën kështu thotë për lajmi.net juristi Asdren Bytyqi që, ndër të tjera, shprehet se Kodi Penal ende nuk ka një dispozitë të veçantë në lidhje me huliganizmin në ngjarjet sportive.
“Nuk ka dispozitë të veçantë që flet në mënyrë taksative për huliganizmin në ngjarje sportive, por kjo përmblidhet përgjithësisht në një dispozitë që në bazë të mënyrës së kryerjes së veprimit, merret edhe vendimi për dënim nga Gjykata”, tha Bytyqi për Lajmi.net.
Ai tutje deklaroi se përkufizimi juridik për huliganizmin e përfshin një dukuri më të gjerë që lidhet edhe me gjuhën eksplicite dhe veprimet e tjera si rasti në fjalë.
Gjithsesi, përkundër kësaj deklarate, korniza ligjore e Kosovës e parasheh huliganizmin si vepër penale që dënohet me ligj.
Është neni 404 (paragrafi 3) që në mënyrë taksative iu referohet veprimeve huligane nga persona të organizuar. Sipas ligjit cilido person që merr pjesë në një grumbull prej më shumë se tetë njerëzve që tentojnë ta sulmojnë dikë, mund të dënohen në pesë vite burg ose gjobë prej 25 mijë euro.
Tutje, në këtë dispozitë, gjithashtu theksohet se organizatori i veprimeve huligane mund të dënohet nga 2 deri në 10 vite burg.
Në paragrafin e tretë të po këtij neni iu referohet veprimeve huligane të cilat mund të përfshijnë dëmtime të hapësirave të stadiumeve, të cilat mund të gjobiten nga 200 deri në 10 mijë euro ose me burg deri në pesë vite, varësisht prej shkallës së huliganizmit.
Si rregullohet kjo çështje në vendet tjera (Angli)?
Në Angli ekziston një Shërbim Kombëtar i Inteligjencës Kriminale që monitoron turmat dhe, nëse është e nevojshme, kërkon ngritje të numrit të forcave policore.
Përveç të tjerash, si strategji për reduktimin e kësaj dukurie shihen: rritja e sigurisë (shtimi i numrit të policëve në rastin e turmave), ndarje e spektatorëve, ndalim të pirjes së alkoolit etj.
Pikërisht numri i vogël i policëve ishte arsyetimi i klubit të Gjilani se pse situata eskaloi deri në atë masë.
Të arrestuar për këtë çështje deri më tani janë katër persona, për të cilët ende nuk është marrë vendim në lidhje dënimin.
Vepra e tifozëve tashmë është klasifikuar si huliganizëm nga Policia e Kosovës në raportin e saj 24-orësh, ndërsa për shkak të këtij huliganizmi të treguar krerët e tifo-grupit ‘Skifterat’ kanë dhënë dorëheqje të parevokueshme, duke u distancuar nga akti i shëmtuar. Portieri Stivi Frashëri është diagnostikuar me ndrydhje të brendshme, si pasojë e sulmeve ndaj tij. /Lajmi.net/