Djali i Gucatit për vizitën e Albulena Haxhiut: S’mund t’i harrojmë fyerjet ndaj krerëve të UÇK-së
Musli Gucati, djali i kreut të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati ka folur për vizitën e sotme të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në Speciale.
Lajme
Ai ka thënë se vizita e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në Hagë mund të jetë diçka e mirë por që prapë nuk mund “t’i harrojnë asnjëherë fyerjet dhe ofendimet ndaj ish udhëheqësve të UÇK-së”, shkruan lajmi.net.
“Ndoshta si institucion dhe Ministre e Drejtësisë, vizita e saj mund të jetë diçka e mirë dhe mund të jetë diçka produktive por mbetet për tu parë. Por prapë se prapë nuk mundemi me i harru asnjëherë ato fyerjet edhe ofendimet që i kanë bë ndaj ish udhëheqësve të UÇK-së”, tha Gucati për lajmi.net.
Po ashtu, Gucati ka thënë se Haxhiu është dashur të mendohet pak më herët për një temë të tillë, duke shtuar se kur të akuzuarit e tanishëm ishin në liri, sipas tij, nga kampi i Haxhiut kanë ardhur akuza dhe fyerje të pabaza.
“Sa i përket vizitës së znj Haxhiu unë mendoj së është dashtë me mëndu pak më herët për këto gjëra, sepse kur kanë qenë ata në liri, të gjithë e dinë për akuzat e pabaza, për fyerjet që i kanë bërë çdo herë disa pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, ndaj këtyre që po akuzohen në Hagë padrejtësisht”, tha ai.
Në këtë vijë, duhet kujtuar që dy nga ish udhëheqësit e UÇK-së që gjenden në Hagë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kanë refuzuar që të takohen me Haxhiun, dhe ky veprim i tyre ndërlidhet pikërisht me akuzat e Haxhiut në të kaluarën ndaj tyre.
Madje, ajo gjatë kohës sa ishte deputete, i kishte quajtur edhe “kriminelë” Thaçin e Veselin.
I pyetur edhe për rolin e qeverisë aktuale në çështjen e ish-krerëve të UÇK-së të cilët janë Hagë si të akuzuar, Gucati tha se tani është koha që edhe qeveria edhe opozita të bëhen bashkë në mënyrë që të kërkojnë zhbërjen e Gjykatës Speciale.
“Unë mendoj se qeveria së bashku me opozitën, tani është momenti më i duhur edhe ma i miri që me u bë bashkë edhe me pas një platformë ose një program së bashku ku kishin mujt me kërku zhbërjen e Gjykatës Speciale dhe me bë ma shumë për ata burra që po mbahen padrejtësisht”, shtoi ai.
Tutje, ai tha se në këtë proces nuk bëhet fjalë vetëm për Hysni Gucatin apo Nasim Haradinajn, por për pastërtinë dhe të drejtën e shqiptarëve për të luftuar për vendin e tyre.
“Nëse i keni përcjell seancat gjyqësore ndaj Nasimit dhe Hysniut e keni parë së si Prokuroria i ka quajtur kriminel. Dhe nuk është në pyetje Hysni Gucati apo Nasim Haradinaj apo Hashimi, por është në pyetje pastërtia dhe e drejta e shqiptarëve për të luftuar për vendin e tyre. Sepse i kanë cilësuar si kriminel njerëzit që kanë dhanë gjymtyrët e trupit. Dhe në atë moment është dashtë me reagu edhe Ministrja e Drejtësisë, edhe Kryeministri edhe Presidentja edhe Ministrja e Punëve të Jashtme” përfundoi ai.
Ndryshe, Gucati e Haradinaj po mbahen në paraburgim që nga shtatori i vitit 2020.
Ata akuzohen për vepra penale që ndërlidhen me administrimin e drejtësisë. /Lajmi.net/