Pas deklaratave kërcënuese ndaj Kosovës, nga Presidenca kërkojnë që Vuçiqi të sanksionohet si Putini

Shefi i stafit të presidentes, Blerim Vela, ka kërkuar që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të sanksionohet nga shtetet e tjera sikurse presidenti rus, Vladimir Putin. Kjo, pas deklaratave kërcënuese sistematike të Vuçiqit në raport me Kosovën.

Lajme

29/03/2022 12:21

Vela këto deklarime i ka bërë në llogarinë zyrtare të tij në ‘Twitter’, duke thënë se Vuçiqi, njësoj sikurse Putini, po nxit retorikë lufte ndaj shteteve fqinje, shkruan lajmi.net.

“Njësoj sikurse Putini, Vuçiq është i vetmi president shteti në rajonin tonë që kërcënon me veprime ushtarake kundër shteteve fqinje. Sikurse Putini, ai duhet të sanksionohet për rrezikimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka thënë shefi i kabinetit të presidentes.

Vela këtë reagim e ka bërë pas deklaratave të mbrëmshme të presidentit serb, i cili tha se “shqiptarët s’do ta kenë lehtë, nëse do të synojnë të shkaktojnë “stuhi” në veri të Kosovës”.

Deklarata me tone kërcënuese Vuçiqi ka pasur edhe pas suspendimit të kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Liljana Stevanoviq, duke aluduar se kryeministri Albin Kurti ka sulmuar Serbinë, duke ia mveshur vendimin kreut të ekzekutivit kosovar. /Lajmi.net/