Skandali me naftë, Dogana: Në 2024-tën është ndaluar dërgesa e parë e dyshuar, ishim pjesë e hetimit që nga fillimi
Një operacion i madh është realizuar ditë më parë nga Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës dhe Prokuroria Speciale nën dyshimet për përzierjen e naftës me ujë nga shitësit e derivateve në Kosovë. Në lidhje me këtë, Dogana e Kosovës përmes një reagimi publik, ka thënë se ata me vendim të Prokurorisë Speciale të Kosovës,…
Lajme
Një operacion i madh është realizuar ditë më parë nga Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës dhe Prokuroria Speciale nën dyshimet për përzierjen e naftës me ujë nga shitësit e derivateve në Kosovë.
Në lidhje me këtë, Dogana e Kosovës përmes një reagimi publik, ka thënë se ata me vendim të Prokurorisë Speciale të Kosovës, që nga fazat e apra të hetimit kanë qenë të përfshirë në strukturën hetuese, sipas legjislacionit për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore, në rastin e dyshimeve për krim të organizuar në fushën e derivateve të naftës.
“Në nëntor të vitit 2024, në bashkëveprim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Speciale, është ndaluar dërgesa e parë e dyshuar, duke shënuar fillimin e një procesi të koordinuar hetimor ndërinstitucional. Që nga ai moment, Dogana e Kosovës ka qenë pjesë e rëndësishme dhe e çmuar e ekipit të përbashkët hetimor, në përputhje me vendimin e Prokurorisë dhe legjislacionin në fuqi për ekipet e përbashkëta hetimore”, thuhet në reagim.
Ata kanë thënë se ky angazhim përfaqëson standardin profesional të veprimit institucional në rastet e krimit të organizuar, ku kanë thënë se koordinimi ndërmjet institucioneve të zbatimit të ligjit është thelbësor për sigurimin e provave, ruajtjen e integritetit të hetimit dhe sjelljen e rasteve para drejtësisë.
“Në kuadër të përgjegjësive të saj ligjore për kontrollin e cilësisë së derivateve të naftës, Dogana e Kosovës rikujton se nga maji i vitit 2021, me vendim të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është rikthyer kontrolli laboratorik në laboratorin e Doganës së Kosovës. Ky vendim ka mundësuar shfrytëzimin e kapaciteteve shtetërore për testimin e cilësisë së derivateve, duke rritur efikasitetin institucional dhe duke ulur ndjeshëm kostot operative, të cilat bien si barrë mbi qytetarin si blerës i fundit. Ky sistem ka sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe ekonominë e vendit, duke kursyer rreth 1.5 milion euro në shpenzime të panevojshme për analiza laboratorike, të cilat më parë kryheshin jashtë kapaciteteve shtetërore”, kanë thënë nga Dogana.
Ata kanë thënë se ky model ka garantuar kontroll të paanshëm, profesional dhe të bazuar në parimet e administratës publike, pa ndikim nga interesa private apo komerciale. Ata kanë theksuar se ky sistem funksionon në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian dhe legjislacionin e Republikës së Kosovës, duke siguruar që çdo produkt i importuar t’i nënshtrohet kontrollit të nevojshëm dhe që çdo mospërputhje me standardet të trajtohet me masat e parapara ligjore.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë së plotë në kontrollin e cilësisë së derivateve të naftës dhe në forcimin e mëtejshëm të integritetit institucional. Çdo përpjekje për të cenuar punën e institucionit përmes shpifjeve dhe dezinformatave do të trajtohet në mënyrën e duhur dhe në përputhje me mjetet ligjore në fuqi. Duke bërë thirrje që të shpërfillen shpifjet që dëmtojnë padrejtësisht imazhin e institucioneve të Kosovës dhe në vend të tyre të njihet dhe vlerësohet efikasiteti dhe puna e palodhshme në sigurinë e cilësisë, duke ulur ndjeshëm kostot operative dhe duke kursyer xhepin e qytetarit, Dogana e Kosovës do të vazhdojë të mbrojë interesin publik, sigurinë e konsumatorit dhe sundimin e ligjit pa kompromis dhe pa u ndikuar nga përpjekje që synojnë të vendosin interesin privat e personal mbi interesin publik. Dogana e Kosovës si përherë mbetet e hapur për të gjitha mediat dhe shoqërinë civile për të ofruar transparencë të plotë mbi efikasitetin e kapaciteteve të saj në mbrojtje të interesit publik, të bazuar mbi standarde të akredituara dhe mbi gjetjet e Auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, të publikuara në raportin: “VLERËSIMI I ZBATIMIT TË REKOMANDIMEVE TË RAPORTEVE TË AUDITIMIT TË PERFORMANCËS TË VITIT 2019”, publikuar në gusht 2025”, thuhet në reagim.
Nga ky operacion janë arrestuar 9 persona dhe aktualisht ndodhen në paraburgim. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: