E pret shkolla në Kosovë

Nëse nuk kthehet në Francë, MASHT zotohet se do t’ia krijojë kushtet Leonarda Dibranit ta vazhdojë mësimin në Kosovë.

Lajme

21/10/2013 10:54

Të gjitha komunitetet në Kosovë kanë të drejtë arsimimi, pa pasur ndonjë diskriminim as racor, gjinor apo të moshës. Këtu përfshihet edhe mundësia e shkollimit të nxënëses më prejardhje rome, Leonarda Dibrani, rasti i së cilës u bë i njohur për shkak të dëbimit nga Franca.

Ragip Gjoshi, këshilltar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, tha se për të vazhduar mësimin nxënësit e riatdhesuar kanë nevojë për nostrifikim dokumentesh.

”Ndërkaq nëse një nxënës nuk e njeh gjuhën, për të nevojitet mësim plotësues për t’u përgatitur të vijojë mësimin në cilën shkollë të dëshirojë”, tha Gjoshi për Radion Evropa e Lirë.

Në rastin e Leonardës, ai tha se do të gjenden persona që njohin gjuhën franceze për t’i mundësuar asaj mësimin.

”Cilëndo shkollë në Kosovë që Leonarda zgjedh, Ministria e Arsimit i garanton vazhdimin e mësimit”, tha Gjoshi.

Komuniteti rom, thotë ai, mësimin e ndjek aty kumuniteti shumicë është shqiptar në gjuhën shqipe, ndërkaq ku gjendet komuniteti serb, mësimi mbahet në gjuhën serbe.

Ndryshe, familja Dibrani, e cila u ekstradua nga Franca për në Kosovë dhe bëri bujë nëpër mediat botërore, është sulmuar të dielën në një nga rrugët e Mitrovicës.

Zyrtarët thonë se sulmi ndaj pesëmbëdhjetë vjeçares Leonarda Dibrani dhe familjes së saj lidhet me një çështje private. Katër persona janë arrestuar dhe po hetohen për rastin.

Leonardës i është bërë ofertë nga presidenti francez Hollande, që të kthehet e vetme në Francë për të vazhduar mësimet, por ajo ka refuzuar, duke insistuar se në Francë dëshiron të kthehet vetëm së bashku me familjen e saj.