Prokuroria vihet në lëvizje pas rritjes së çmimeve, tregon veprimet që do t’i ndërmarrë

Prokuroria e Shtetit ka reaguar pas raportimeve për manipulim me çmime të produkteve ushqimore, konkretisht vajit nga disa markete në Kosovë.

Lajme

10/03/2022 21:02

Prokuroria me anë të një komunikate për media ka bërë të ditur se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore penale ndaj të gjithë personave përgjegjës dhe organizatave të biznesit e të cilat keqpërdorin pozitën monopoliste, shkruan lajmi.net.

Organi ndjekës ka bërë të ditur se do të veprojnë ndaj atyre që në kundërshtim me ligjin ndikojnë në vënien e çmimeve të padrejta të shitjes së artikujve ushqimorë.

Njoftimi i plotë nga Prokuroria:

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës si dhe organet tjera kompetente, përkatësisht Inspektoratin e Tregut do t’i ndërmarrë veprimet ligjore penale ndaj të gjithë personave përgjegjës të organizatave të biznesit që ushtrojnë veprimtari ekonomike duke e keqpërdorur pozitën monopoliste apo dominuese në treg, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ndikojnë në vënien e çmimeve të padrejta të shitjes së artikujve ushqimor apo që në ndonjë mënyrë tjetër të padrejtë rregullojnë çmimet e blerjes apo të shitjes së mallrave, siç parashihet me nenin 295 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku është paraparë dënimi me burg dhe me gjobë.  /Lajmi.net/