Drejtori i Prishtinës, Osmani: Situata do rregullohet, nesër ose pasnesër ia qesim pagat
FC Prishtina nuk është duke kaluar formën më të mirë në 100 vjetorin e klubit, si nga ana ekonomike ashtu edhe sportive.

Sport
Edhe pse u prit që “Bardhëkaltërit” të garojnë për titull në 100 vjetorin e klubit, momentalisht klubi është në situatë jo të mirë ku është më afër zonës së rrezikshme në krahasim me atë që të dërgon në Evropë, shkruan lajmi.net.
E ky nuk është problemi i vetëm, pasi edhe lojtarët e Prishtinës kanë bojkotuar stërvitjet shkaku i vonesës së pagës.
Futbollistët e skuadrës nga kryeqyteti nuk kanë dal fare sot (e mërkurë) në stërvitje, duke kërkuar që të paguhen dy pagat e fundit.
“Lajmi.net”, ka kontaktuar drejtorin e klubit, Artan Osmani, që beson se kjo situatë do rregullohet brenda dy ditëve.
“Po, lojtarët e kanë bojkotuar stërvitjen shkaku që nuk kanë pasur pagë që dy muaj. Kanë kërkuar që të dalin pagat në mënyrë që të vazhdojnë me stërvitje”.
“Besoj që nesër ose pasnesër do t’i kenë pagat gati dhe kjo situatë do rregullohet”, deklaroi ai.
Përpos kësaj, lojtarët kanë bërë me dije që nëse nuk do t’i kenë pagat, atëherë nuk do luajnë në ndeshjen e radhës ndaj Dukagjinit të Klinës.
Ditët e ardhshme do jenë vendimtare për këtë situatë, ndërsa klubi është edhe pa president që është larguar më herët nga detyra, me Remzi Ejupin që tashmë ka dal jashtë shtetit/Lajmi.net/