“Plisat” reagojnë ashpër pas humbjes nga Ballkani – marrin fanellat e të gjithë lojtarëve të Prishtinës

Ballkani shënoi fitore të rëndësishme në udhëtim te Prishtina.

Sport

20/02/2022 19:13

Në derbin e kësaj xhiro, “Xhebrailat” fituan me rezultat komod 0 – 2, ku të dy golat i shënuan në minutat shtesë, shkruan lajmi.net.

E pas kësaj humbje, kanë reaguar ashpër “Plisat” që hynë në zhveshtore dhe morën të gjitha fanellat e lojtarëve duke i vendosur në qese.

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

“NDRESA E PRISHTINËS NJERSITET, NUK PËRLYHET!

KF Prishtina sivjet feston 100 vjetorin e saj. Historia një shekullore asesi nuk guxon të përlyhet, e sidomos në këtë mënyrë.

Plisat dhe gjithë simpatizuesit e klubit të zemrës, Prishtinës, nuk i’a kanë borxh askujt të jenë dëshmitarë të një nënçmimi kaq të dukshëm ndaj emrit Prishtinë, ngjyrave bardh e kaltër, e fanellës me emblemën legjendare.

Frustrimi i tifozëve asnjëherë s’ka të bëjë me largimin e synimeve nga titulli, sepse dëshmi për këtë kemi periudhën 2013-2021 ku pa as një titull të fituar, nuk lamë vend pa shkelur në Kosovë, vetëm të jemi pranë saj. Por, neglizhimi i menaxhimit të klubit, mosangazhimi total i lojtarëve në fushë është pika jonë e dobët, ajo që nuk mund ta falim.

Fajtori nuk na intereson,

Zgjidhja ju përket juve,

Ne duam klub me dinjitet,

Përndryshe, këto fanella nuk përlyhen.

Pamje nga dita e sotme pas ndeshjes KF Prishtina – Ballkani. Janë marrë gjitha fanellat e klubit nga zhveshtoret.

100 vjet KF Prishtinë!

35 vjet Plisat”, ishte shkruar në komunikatë.

Situata nuk është e mirë te Prishtina, ngase përpos probleme nga ana sportive, kanë probleme edhe te financa./Lajmi.net/