“Familjarët s’janë më për dasma por për punësime”, Haradinaj i ashpër me Kurtin
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti. Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Haradinaj e pyet Kurtin se si do e rregullojë situatën në vend.

Lajme
Haradinaj thotë se Kurti pengoi investimet në energji dhe rriti çmimin e rrymës, punësoi familjarët, kapi bordet e institucioneve dhe ndërmarrjeve. Haradinaj i përmendi Kurtit edhe shpenzimet e naftës nga deputetët.
“Rreth 100 mijë qytetarëve që kanë kërkuar vizë pune vetëm në njërën nga ambasadat, por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, sqaroju se si do e ndreqësh gjendjen në këtë vend?”, pyet Haradinaj.
Shkrimi i plotë i Haradinajt në Facebook:
Si do ta ndihmosh Kosovën z. Kurti?
– Në energji pengove e refuzove investimet dhe rrite çmimin
– Familjarët e anëtarëve të kabinetit tuaj, ministrave e deputetëve, nuk janë më për dasma, por për punësime e ngritje detyre në institucione
– Me militantët tu, në shpejtësi të paparë, kape bordet e institucioneve dhe ndërmarrjeve
– Në mesin e shumë premtimeve të tjera që i shkele sapo erdhe në pushtet, është edhe mbështetja për bujqit, të cilëve nuk ua lirove naftën e as nuk i subvencionove, por as nuk ule numrin e “xhipave qeveritarë”. Përkundrazi, deputetët tuaj, po dalin të jenë kampionët e harxhimeve buxhetore.
Rreth 100 mijë qytetarëve që kanë kërkuar vizë pune vetëm në njërën nga ambasadat, por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, sqaroju se si do e ndreqësh gjendjen në këtë vend?