Reagon Abrashi për shpenzimet e naftës: S’mund të vendosem në Prishtinë, do të jetoj në Prizren
Deputeti i VV-së, Artan Abrashi, është komentuar dhe kritikuar me të madhe pasi që ka shpenzuar 690 euro naftë veç për dy muaj nga buxheti i shtetit, ndonëse në Agjencinë Kundër Korrupsionit nuk ka të deklaruar as veturë.
Lajme
Abrashi me anë të një postimi në Facebook ka thënë se Kuvendi që prej ekzistimit të tij mbulon shpenzimet e naftës të deputetëve për kryerjen e punëve në Kuvend dhe Komisione, varësisht nga distanca e vendbanimit, shkruan lajmi.net.
Ai është arsyetuar duke thënë se jeton në Prizren dhe i është dashur të udhëtojë mbi 35 herë nga Prizreni në Prishtinë dhe anasjelltas, shkruan lajmi.net.
Madje ka thënë sipas logjkës së kritikuesve, të gjithë deputetët duhet të zhvendosen në Prishtinë, por që ka thënë se ai këtë nuk mund ta bëj dhe do të vazhdojë të jetoj në Prizen.
Postimi i plotë:
Në një medium qenka publikuar shuma e shpenzimeve në muajt Nëntor-Dhjetor të deputetëve për karburante, sipas vendbanimit. Sipas Rregullores së Kuvendit të Kosovës, që nga koha kur ekziston ky institucion, mbulohen shpenzimet e karburantit për çdo deputet në kryerjen e punëve në Kuvend dhe Komisione duke u bazuar në distancën e vendbanimit.
Për hirë të transparencës dhe korrektësisë po e shpjegoj. Shumë deputet nuk jetojnë në kryeqytet, përfshirë edhe mua. Meqë jetoj në Prizren dhe në muajt Nëntor-Dhjetor kam udhëtuar mbi 35 herë Prizren-Prishtinë, me distancë prej 84 kilometra, kam kaluar përafërsisht mbi 2940 km vajtje, 2940 km ardhje. Sipas kësaj logjike të gjithë deputetët duhet të zhvendosen në Prishtinë për ekonomizim të shpenzimeve. Unë këtë gjë nuk mund ta bëjë. Do të jetoj në Prizren.
Faleminderit. /Lajmi.net/