Ndihmuan emigrantët e paligjshëm, nis gjyqi për vullnetarët në Greqi
Grupet për të drejtat e njeriut kanë reaguar ashpër ndaj nisjes së këtij procesi gjyqësor, duke e konsideruar atë të motivuar politikisht.
Fun
24 vullnetarë të organizatave humanitare do të dalin përpara gjykatës në Greqi për rolin e tyre në dhënien e ndihmës ndaj emigrantëve të paligjshëm për të mbërritur në brigjet greke gjatë krizës së viteve 2016-2018.
Të akuzuarit do të përballen me një sërë akuzash mes të cilave spiunazh, mashtrim dhe përdorim i paligjshëm i frekuencave të radios.
Grupet për të drejtat e njeriut kanë reaguar ashpër ndaj nisjes së këtij procesi gjyqësor, duke e konsideruar atë të motivuar politikisht.
17 prej të akuzuarve janë me shtetësi të huaj, mes të cilëve dhe refugjatja siriane Sarah Mardini, motra e notares olimpike Yusra Mardini. Motrat zunë faqet e para të gazetave në vitin 2015, pasi tërhoqën varkë me refugjatë në brigje pasi pësoi një defekt në mes të detit.
Sarah-s i është ndaluar hyrja në Greqi dhe për këtë arsye do të mbrohet përmes një videokonference nga Gjermania, atje ku ka fituar dhe azil.
Sot gjithashtu dhjetë emigrantë janë gjetur të vdekur në një varkë druri të mbipopulluar në përpjekje për të kaluar Mesdheun.
Deri më tani këtë vit, rreth 1,225 emigrantë kanë vdekur ose janë zhdukur gjatë përpjekjes për të bërë kalimin e rrezikshëm për në Evropë përmes Mesdheut.
Caroline Willemen, koordinatore e projektit në Geo Barents, e përshkroi Mesdheun si “rrugën më vdekjeprurëse të migrimit”.
“Ne jemi edhe një herë dëshmitarë të mosgatishmërisë së Evropës për të ofruar kapacitetin e dedikuar dhe proaktiv të kërkimit dhe shpëtimit shumë të nevojshëm në Mesdheun Qendror”, shtoi ajo. /Lajmi.net/