Garancia për lirim: Avokati i Veselit i kërkon gjyqtarit që “urgjentisht” t’i kërkojë detaje Drejtorit të Policisë

Ben Emmerson, avokati në Hagë i Kadri Veselit ka kërkuar nga gjyqtari i Procedurës Paraprake që të lëshojë një urdhër në drejtim të Drejtorit të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ku ai specifikon qartë dhe detajisht aftësitë e Policisë së Kosovës për të mbikëqyrur lirimin nga paraburgimi të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Lajme

07/10/2021 21:26

Emmerson në një shkresë dërguar gjykatës, ka thënë se çdo përgjigje nga Drejtori i Policisë së Kosovës mund të jetë faktor determinues për vendimin nga lirimi apo jo të Veselit, shkruan lajmi.net.

Në këtë kontekst, ai përmend edhe vendimin e Kolegjit të Apelit i cili konstatoi se Drejtori i Policisë nuk dha garanci  të mjaftueshme për krerët e UÇK-së, mirëpo po ashtu vlerësoi se gjyqtari paraprak është dashur të kërkojë hollësi nga ai për të marrë vendimin mbi paraburgimin.

“Mbrojtja vëren se kanë kaluar më shumë se tre muaj nga vendimi i fundit i rishikimit të paraburgimit dhe se afati i fundit për paraqitjen e kërkesës së ardhshme është e mërkura 13 tetor 2021. Siç është përcaktuar nga Kolegji i Apelit, aftësia e Forcës Policore të Kosovës për të zbatuar listën e kushteve të bashkangjitura si Aneksi 1, mund të zbusë rreziqet e identifikuara nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake. Si e tillë, çdo përgjigje nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ndaj pyetjeve të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake do të përbëjë një pjesë shumë të rëndësishme  të aplikacionit të rishikimit të paraburgimit të ardhshëm ashtu edhe të vlerësimit të ardhshëm Gjyqësor të atij aplikimi”, thuhet në kërkesën e Emmerson.

Në këtë formë, Emmerson ka kërkuar që në formë të përshpejtuar, Gjyqtari Paraprak të lëshojë një urdhër ndaj drejtorit të Policisë që ky i fundit të jap më shumë sqarime lidhur me aftësinë e Policisë së Kosovës për të zbatuar kushtet e propozuara për lirimin nga paraburgimi të Kadri Veselit, shkruan tutje lajmi.net.

“Në dritën e urgjencës që kjo çështje të zgjidhet para se të paraqitet kërkesa e re për rishikimin e paraburgimit-dmth: Në gjashtë ditë-Mbrojtja tani me respekt i kërkon Gjyqtarit të Procedurës Paraprake të lëshojë, në pajtim me nenet 39 dhe 53 të Ligjit, një urdhër mbi një bazë të përshpejtuar që kërkon ose udhëzon Drejtorin e Policisë që të japë më shumë sqarime lidhur me aftësinë e Forcës Policore të Kosovës për të zbatuar listën e masave të sugjeruara nga Mbrojtja dhe/ose çdo masë tjetër shtesë që Gjykatësi i Procedurës Paraprake e konsideron të përshtatshme”, thuhet tutje në kërkesë.

Mbetet të shihet se cili do të jetë veprimi i Drejtorit të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti i cili në rishikimin e kaluar të paraburgimit nuk dha informata të mjaftueshme të cilat do të mund edhe të siguronin lirimin e tre krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vendimin e Apelit, për të cilin raportoi para pak ditësh lajmi.net, theksohet se gjyqtari paraprak e ka pasur obligim që të pyes më hollësisht Mehmetin mbi aftësitë e Policisë së Kosovës për të zbatuar kushtet e propozuara për lirim nga paraburgimi.

Ky veprim nuk është kryer nga gjyqtari paraprak, andaj në dritën e argumenteve, çështja i është kthyer sërish të njëjtës instancë. /Lajmi.net/

Drejtori i Policisë nuk dha garanci të mjaftueshme për mbrojtjen në liri të krerëve të UÇK-së në Hagë, Gjyqtari mund ta marrë në pyetje