CDC: Varianti delta nuk shkakton raste të rënda te fëmijët dhe adoleshentët
Varianti delta i koronavirusit nuk shkakton raste më të rënda të COVID-19 te fëmijët dhe adoleshentët në krahasim me variantet e tjera, sipas të dhënave të para nga një studim i publikuar nga autoritetet shëndetësore amerikane.
Lajme
Shqetësimet për pasojat e variantit delta te të rinjtë janë rritur për disa javë në Shtetet e Bashkuara, për shkak të numrit në rritje të fëmijëve të shtruar në spital.
Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), agjencia kryesore federale e shëndetit publik në vend, studioi të dhënat nga pacientët e shtruar në spital për COVID-19 në 99 qarqe në 14 shtete.
Agjencia krahasoi periudhën nga fillimi i marsit deri në mes të qershorit me periudhën nga mesi i qershorit deri në fund të korrikut, kur delta u bë dominuese në Shtetet e Bashkuara.
Midis atyre dy periudhave, niveli i shtrimit në spital për fëmijët dhe të rinjtë nën 17-vjeç u rrit pesëfish.
Sidoqoftë, “përqindja e fëmijëve dhe adoleshentëve të pranuar në spital për shkak të një forme të rëndë të sëmundjes”, për shembull, të pranuar në kujdes intensiv, “ishte e ngjashme para periudhës kur varianti delta u bë dominues dhe gjatë tij.”
Përveç kësaj, studimi tregon se vaksinat mbrojnë mirë adoleshentët kundër variantit delta, pasi që përqindja e shtrimit në spital është rreth dhjetë herë më e lartë për njerëzit e pa vaksinuar. Në Shtetet e Bashkuara, vaksina Pfizer mund të merret që në moshën 12-vjeç.
Sidoqoftë, CDC thekson se numri i rasteve të rënda të COVID-19 midis mesit të qershorit dhe fundit të korrikut te fëmijët dhe të rinjtë ishte shumë i vogël që krahasimet të ishin plotësisht relevante. Ajo thekson se të dhënat duhet të monitorohen më tej në të ardhmen.