Kurdisja e tenderit me certifikata ISO
Komuna e Gjakovës më 27 gusht 2020 publikoi tenderin për ndërtim të çerdheve me vlerë të parashikuar prej 197,578.32 euro. Në bazë të paramasës, janë parashikuar të rikonstruohet një çerdhe në Qabrat, një çerdhe do të rikonstruohet dhe ndërtohet në Novosellë dhe do të ndërtohet një aneks i një çerdhe ekzistuese. Edhe pse u përdor procedura e hapur, ofertoi vetëm një kompani, e cila fitoi kontratën.
Lajme
Kompania fituese ishte Korben me çmim 150,311.70 euro.
Dosjen e tenderit e kanë shkarkuar 54 operatorë ekonomik (OE). D+ deri më tani nuk ka hasur që të ketë një numër kaq të madh të OE të interesuar dhe vetëm një të dorëzojë ofertë.
Arsyeja pse ka ofertuar vetëm një kompani për një tender ku lloji i punëve që do të kryhen është shumë i zakonshëm ka mundur të ndodhë për arsye se është kërkuar që kompania të jetë e certifikuar për ISO 3834. Ky certifikim ka të bëjë me kërkesat e cilësisë për saldimin me shkrirje të materialeve metalike1
Nga kërkimet në e-Prokurim për punë të tilla, Demokracia Plus nuk ka parë që në tenderë tjerë të jetë kërkuar kjo ISO certifikatë. Në paramasë, shumë pak ka pozicione ku nevojitet saldimi. Pse pikërisht komuna ka kërkuar këtë certifikatë?. Në këtë tender janë kërkuar edhe punë elektrike, por nuk është kërkuar që OE të jetë i certifikuar për to. Kërkesa e komunës është jo relevante me natyrën e
punëve që do të kryhen. E çuditshme është që komuna nuk ka kërkuar ndonjë saldues e në anën tjetër ka kërkuar që OE të jetë i certifikuar për saldim. Sipas ISO 3834, i certifikuari duhet t’i prodhojë vetë pjesët e salduara, siç janë llamarinat për kulm. Para publikimit të tenderit, Drejtoria e Arsimit si njësi kërkuese, në dy kërkesa që i ka dërguar zyrës së prokurimit për shpalljen e tenderit, askund nuk e ka përmendur kërkesën për ISO 3834 dhe 39001. Nuk dihet se si ka ardhur që këto dy certifikata të bëhen pjesë e dosjes së tenderit. Në parim kërkesat e tilla i vendos njësia kërkuese, pasi zyra e prokurimit nuk mund ta dijë se çfarë certifikata duhet kërkuar.
Një tjetër kërkesë kufizuese është sa i përket stafit profesional siç janë inxhinierët, gjeodetët, etj. Komuna ka kërkuar që operatori ekonomik t’i ketë të punësuar dhe të dëshmohen përmes Listës së Pagave nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK). Nuk është lejuar që OE që ofertojnë të mund të paraqesin stafin profesional përmes kontratave mbi vepër. Kur kërkesa që stafi profesional të jetë i punësuar në kompani lidhet me kërkesën që dëshmia të paraqitet përmes listës së ATK-së atëherë kjo e bën të pamundur që të plotësohet kërkesa, edhe nëse do të ishte lejuar që të paraqiten punëtorët përmes kontratës mbi vepër. Shumica e kontratave mbi vepër nënshkruhen zakonisht në ditët e fundit para dorëzimit të ofertave. Do të ishte e pamundur për një OE që të dëshmojë punëtorin përmes listës së ATK-së, pa u paguar asnjë muaj. D+ që pesë vite në qindra kontrata që ka analizuar, nuk ka hasur në kërkesë që punëtorët profesional të jetë patjetër të punësuar te
operatori ekonomik që oferton dhe që kjo dëshmohet përmes listës nga ATK.

Figura 4: Kërkesa në dosje të tenderit që i gjithë stafi profesional duhet të jetë në Listë të ATK-së
Mirëpo, kompania NNSH Korben nuk ka plotësuar këtë kërkesë sa i përket dy pozitave të stafit profesional. Korben ka paraqitur kontratën me inxhinierin e gjeodezisë, Bujar Morina, cili nuk është paraqitur në Listën e Pagave. Për kërkesën tjetër, një teknik i gjeodezisë, Korben nuk ka dorëzuar fare dokumente. Në listën e stafit të saj, është shënuar që inxhinier i gjeodezisë është Getoar Pozhegu, i cili është në Listën e Pagave, mirëpo nuk është dorëzuar për të CV, kontrata e punës dhe diploma.
Mosplotësimi i këtyre kërkesave bën që oferta e Korben të jetë e papërgjegjshme. Komuna e Gjakovës nuk është dashur të nënshkruajë kontratën në këtë rast pasi dy kërkesa sa i përket stafit nuk janë plotësuar. Një tjetër shkelje është se menaxheri i kontratës është emëruar para se të nënshkruhet kontrata. Menaxheri i kontratës është emëruar më 28 shtator 2020, ndërsa kontrata është nënshkruar më 29 shtator 2020. Neni 61.4 i Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik thotë së menaxheri i kontratës emërohet pasi të jetë nënshkruar kontrata. Problem tjetër është se emërimi i menaxherit të kontratës është bërë pa përfunduar afati ligjor për ankesa. Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, kompanitë mund të bëjnë kërkesë për rishqyrtim deri në pesë ditë pas Njoftimit mbi Vendimin e Autoritetit Kontraktues. Ky vendim është publikuar më 22 shtator 2020. Afati ka filluar të llogaritet nga data 23 shtator, pasi dita e njoftimit llogaritet si dita “zero”. Pasi dita e fundit ishte më 27 shtator, e dielë, afati është shtyrë për të hënën, 28 shtator, pasi sipas LPP-së nëse data e fundit për ankesë është festë ose fundjavë, afati shtyhet për ditën e parë të punës. Në këtë rast komuna ka gabuar pasi nuk ka pritur afatin për ankesa të mundshme. Edhe pse në tender ka ofertuar vetëm një kompani, mundësia për ankesë ekziston përsëri.
Komuna e Gjakovës duhet që të lehtësojë kriteret në dosje të tenderit në mënyrë që të u japë më shumë mundësi kompanive tjera që të ofertojnë. Vetë fakti që 54 OE kanë shkarkuar dosjen e tenderit, tregon që ato kanë mundur të jenë të interesuara që të ofertojnë, mirëpo janë penguar nga kërkesat e dosjes së tenderit, sidomos ISO 3834 e cili nuk është relevante për këtë aktivitet të prokurimit. Komuna duhet ta ketë parasysh që konkurrenca është një prej parimeve të prokurimit publik, e cila ndikon që të ketë çmime më të ulëta për autoritetin kontraktues. Komuna duhet gjithashtu që të vlerësojë tenderët në bazë të kërkesave që i ka vendosur vet, në pajtim me nenin 59 të LPP-së, i cili thotë që vlerësimi i tenderëve duhet të bëhet në bazë të kritereve të vendosura në dosje të tenderit. /D+