Ndalohet shoferi i autobusit nga Kosova, nuk i njihet patentshoferi kosovar

Për shkak të mosnjohjes së patentë shoferëve të Kosovës nga autoritetet austriake, shumë kosovarë që udhëtojnë nëpër Austri po hasin në telashe.

Lajme

25/06/2021 23:39

Kështu të premten në Graz policia austriake ka ndaluar një autobus me targa të Kosovës. Shoferit të autobusit për shkak se kishte patentë shofer të Kosovës iu ndalua ngasja e mëtejshme, shkruan albinfo.at.

Policia austriake ka raportuar se përveç që shoferi nuk kishte të drejtë qarkullimi në Austri, gjatë kontrollit policia e stacionit Karlauerstrasse gjeti edhe një varg defektesh që kishte autobusi.

Targat e autobusit dhe leja e qarkullimit të shoferit iu morën përkohësisht nga autoritetet austriake. Autobusi ishte i mbushur përgjysmë me udhëtarë, ndërkohë kompania që bartte udhëtarët u desh të siguronte një mjet tjetër transportues për të bartur udhëtarët deri në vendin e caktuar.

Vlen të theksohet se kjo çështje iu bë e ditur edhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit me bashkatdhetarë, të mbajtur ditën e martë në Vjenë.