Gjilani nuk e përfillë KRPP-në, nënshkruan kontratë të kundërligjshme me kompaninë e njeriut të afërt me LDK-në

Komuna e Gjilanit ia ka vënë vulën shkeljes së Ligjit të Prokurimit Publik, duke mos e marrë për bazë mendimin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik –KRPP lidhur projektin “Ndërtimi i Tregut të Gjelbër në Komunën e Gjilanit”. Komuna vendosi të nënshkruaj kontratën dhe jo të marrë për bazë opinionin.

Lajme

23/06/2021 10:59

Vetëm me dhënien e një opinioni ka përfunduar punën KRPP-ja lidhur me shkeljen që ka bërë Komuna e Gjilanit për tenderin e Tregut të Gjelbër, ku është konstatuar se duhet të evitohen shkeljet, shkruan lajmi.net.

Para disa javësh, Zyra e Prokurimit të Komunës së Gjilanit ka shpallur fituesin e këtij tenderi.

Procedura tenderuese që ka zbatuar prokurimi komunal ka qenë e ‘negociuar pa publikim të kontratës’ dhe emri i projektit është i njëjti si para dy viteve: “Ndërtimi i tregut të Gjelbër në Komunën e Gjilanit”. Fitues po ashtu është shpallur kompania “Ceni Group” shpk, me çmim prej  509. 177, 24 eurove.

KRPP-ja kishte konfirmuar për lajmi.net se i ka dërguar Gjilanit një opinion ku i ka kërkuar që të procedojë për këtë projekt me procedurë të hapur sepse nuk janë përmbushur kushtet ligjore që të vazhdohet me “procedurë të negociuar pa publikim të kontratës”.

Pasi e mbajti për disa muaj mbi tavolinë mendimin e KRPP-së, Komuna e Gjilanit vendosi që të mos e përfillë atë. Më datë 14 qershor, kjo komunë e ka ngarkuar në E-Prokurim njoftimin për nënshkrimin e kontratës për këtë projekt e bashkë me të edhe kontratën e nënshkruar të cilës i është vendosur vula që në muajin Maj.

KRPP-ja nuk ka dashur të jap asnjë sqarim për lajmi.net lidhur me atë se çka do të ndërmarrë ndaj zyrës së prokurimit të Gjilanit. Në fakt ky institucion nuk ka fuqi juridike që të marrë masa ndaj menaxherit të prokurimit pa një propozim të Organit Shqyrtues të Prokurimit. E gjithë puna e saj përfundon me dhënien e një mendimi mbi procesin tenderues, gje që më pastaj i lihet hapësirë organeve të hetuesisë të vazhdojnë më tutje në rast që nuk përfillet opinioni.

Por, para pak jave ky institucion kishte lëshuar një opinion ku i kërkonte Komunës që të evitonte shkeljet.

“Lidhur me përdorimin e procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë për aktivitetin prokurimit me Titull “Ndërtimi i Tregut të Gjelbër në Komunën e Gjilanit.” Me nr. të prokurimit: 651-21-929-515” i iniciuar nga Autoriteti Kontraktues – Komuna e Gjilanit, Opinion i Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik është se lidhur me përdorimin e Procedurës se Negociuar pa Publikim e Njoftimit për Kontratë për këtë aktivitet të prokurimit nuk janë plotësuar dispozitat e nenit 35 të LPP-së”, thuhet në hyrje të opinionit të KRPP-së.

KRPP ka shkruar tutje në opinionin e saj se në mbështetur në nenin 35.1 të LPP-së Autoriteti Kontraktues Komuna e Gjilanit me datë 03.03.2021 përmes platformës së E-prokurimit ka dërguar në KRPP njoftimin për përdorimin e procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë ( PNPNJK) lidhur me aktivitetin e prokurimit me Titull “Ndërtimi i Tregut të Gjelbër në Komunën e Gjilanit”.

“Sipas arsyetimit të dhënë ndër të tjera keni thënë se në pamundësi të zhvillimit të punimeve për të ekzekutuar pasi që ka mungesë të pozicioneve në përmasën e ofertuar kërkohet nga njësia kërkuese dhe zyra e prokurimit të bëhet inicimi i procedurës me negocim për pozicionet që janë mungesë sipas projektit bazë, po ashtu e njëjta kompani e cila është kontraktuar për punët e deri tashme do të përfundoj punimet edhe mbas implementimit të fazës së (ll) pozicionet të cilat i ka të kontraktuar, por që nuk kanë mundësi të ekzekutohen pa u përfunduar pozicionet të cilat duhet të kontraktohen në fazën e II. Sipas kësaj konstatojmë se Vendimi është marrë bazuar në Neni 35.2.3(ii) të drejte ekskluzive për të ofruar shërbime të tilla, nëse për arsye objektive dhe të detyrueshme teknike ose artistike, kontrata duhet ti ipet një operatori-të caktuar ekonomik, KRPP, në ketë aspekt nuk ka vërejtur në “shpjegimin” tuaj se cila është kjo e “drejt ekskluzive”.

“KRPP vlerëson se Arsyetimi i dhënë është bazuar kryesisht në atë se kompani e kontraktuar për kontratën bazë e ka njëfarë të drejte ekskluzive për realizimin e këtyre punimeve. Për KRPP-në kjo është e pa pranueshme dhe e pa arsyeshme sepse sipas shpjegimit tuaj pavarësisht kësaj kjo nuk i jep asnjë të drejte ekskluzive sipas neni 35 te LPP- së”, ka thënë KRPP në opinion e vetë, ku i ka bërë Komunës edhe disa rekomandime.

“Sipas kësaj me lartë KRPP rekomandon zyrën e prokurimit ( ZKA) që ta rishqyrtoj edhe një herë vendimin lidhur me përdorimin e procedure së negociuar pa publikim te njoftimit për kontrate për aktivitetin e cekur më lartë”.

Po ashtu rekomandimi kryesor i KRPP-së ka qenë që: “Autoritetin Kontraktues të marre masa që të organizoi vende-punishten me qëllim që ketë aktivitet të prokurimit ta zhvilloi me procedurë të hapur e cila do të rriste transparencën, konkurrencën e lirë dhe trajtimin e barabartë”.

Këtë KRPP e ka arsyetuar duke e cituar LPP-në.

“Kjo sepse Neni 7 paragrafi 3 i LPP-se nder të tjera thotë se; autoritetit kontraktues i ndalohet që të zgjedh një procedurë të prokurimit ose duke vendosur një kërkesë ose kriter të përzgjedhjes ose specifikacion teknik që në ndonjë mënyrë ka për qëllim të favorizojë ose diskriminojë kundër njërit ose më shumë operatorëve ekonomik. Nga kjo nënkuptojmë se Autoritetin Kontraktues nuk duhet të zgjedh procedurën e prokurimit e cila do të favorizoi apo diskriminoj operatorët ekonomik”, përfundon rekomandimi i KRPP-së.

Lajmi.net ditë më parë kishte kërkuar disa informacione për këtë tender nga Komuna e Gjilanit, por ajo nuk ishte përgjigjur.

Pronar në kompanisë “Ceni Company” shpk është Jeton Hyseni, kurse drejtor babai i tij, Hysen Hyseni.

Të dy janë përkrahës të LDK-së, mandej këtë nuk e kanë fshehur as në rrjetet sociale, ku shumë fotografi shihen në përkrahje të kësaj partie dhe të vetë kryetarit Haziri.

Madje, vajza e drejtorit, njëherësh motra e pronarit të kompanisë, Jehona Hyseni, ka qenë për disa vite asambliste në KK të Gjilanit nga radhët e LDK-së. /M.B-Lajmi.net/