Burek me kos, vezë dhe petë të pjekura – Receta fantastike
Një kombinim fantastik i këtij byreku është edhe shoqërimi i tij me fërgesa shtëpie me perime të stinës.
Lifestyle
Byreku ideal per t’u përgatitur gjatë kësaj stine, i freskët dhe i shkëlqyer për t’u shoqëruar me sallata të freskëta të stinës, perime të freskëta por edhe supa të lehta të ndryshme verore.
Një kombinim fantastik i këtij byreku është edhe shoqërimi i tij me fërgesa shtëpie me perime të stinës.
Përgatitja e Byrekut me Kos dhe Vezë
500- 600 gr kos
3 kokrra vezë
1 pako gjalpë ose vaj ulliri
pak kripë
Udhëzimet
Përgatitja e Brumit
Për brumin ju duhen:
500 gr miell,
250 ml ujë,
10 gr kripë,
një lugë kafeje jo e mbushur plot me sodë buke.
Si fillim, hidhni në një tas të madh miellin.
Pasi bëjmë një gropë në mesin e miellit hedhim kripën, sodën dhe i përzjejmë me dorë ndërsa nisim të shtojmë ujë të vakët derisa brumi të krijohet në një masë të butë dhe të përshtatshme për t’u hapur në formën e petës.
Brumin e përftuar e mbulojmë me një pecetë të pastër dhe e lëmë përreth gjysmë ore që të fryhet.
Nëse preferoni mund të përdorni edhe peta të gatshme.(i gjeni në markete)
Më pas ndnai brumin në kuleçë një e nga një duke i spërkatur me pak niseshte.
Kur petët të jenë hapur sa duhet, piqini mbi pllakën e sobës.
Temperatura duhet të jetë mesatare në mënyrë që petët të mos digjen.
Ndërkohë trazoni kosin, vezët dhe gjalpin e shkrirë.
Në fund të tepsisë vendosni një petë të papjekur.
Spërkateni me masën e kosin dhe vezë dhe mbulojeni me një petë tjetër të pjekur.
Spërkatini të gjitha petët një e nga një me masën e kosit, vezëve dhe gjalpit deri sa tepsia të jetë mbushur e gjitha.
Në fund, mbulojeni byrekun me petën e papjekur.
Lyejeni me gjalpë dhe futeni në furrë.
Lëreni byrekun të piqet për rreth 30-40 minuta.
Pas pjekjes hiqeni nga furra, priteni në copa dhe servireni. /Lajmi.net/