Simeone: Mentaliteti do të jetë çelësi kryesor për të fituar La Ligan
Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, ka folur pas disfatës nga Athletic Bilbao në kuadër të xhiros së 33-të të La Ligas.
Sport
“Los Colchoneros” u mposhtën nga baskët me rezultat 2-1 për të humbur një mundësi të artë në mbajtjen e distancës me Barcelonën dhe Real Madridin, shkruan lajmi.net.
Pas ndeshjes, Diego Simeone e analizoi ndeshjen, ku tha se tash e tutje, skuadra më e fortë mentalisht do të fitojë La Ligan.
“Disa ditë më parë më pyetët cili është aspekti kyç i fitimit të ligës, është e qartë që është mentaliteti. Çelësi i fitores do të jetë balanca emocionale”, tha ai.
“Kjo humbje ndryshon gjërat, disa ditë më parë nuk perceptohej se do të luanim si pjesën e parë sot. Nuk e dimë çfarë do të ndodhë, por varet nga personaliteti dhe mentaliteti jonë tani e tutje”, tha Simeone.
“Problemi është se nëse një problem përsëritet, siç është në rastin e pjesës së parë, problemi atëherë është tek trajneri. Kur një trajner nuk mund ta zgjidhë një situatë, diçka po shkon keq. Do të tentojmë të përmirësohemi”, përfundoi Diego Simeone./Lajmi.net/