Supa e shpejtë me pulë dhe miell misri – Receta e shijshme
Supa ideale për shëndet të mirë.
Lifestyle
E lehtë dhe plot shije, kjo pjatë tipike e kuzhinës tradicionale është ideale për gjallërimin e organizmit dhe shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me sallata të freskëta të stinës.
Për 4-5 persona duhen
500 gr mish pule i ndarë në copa të vogla
4 lugë gjelle miell misri
2 lugë gjelle gjalpë
1 lugë gjelle vaj ulliri
3 thelpinj hudhra
Kripë
Piper i zi
Piper i kuq
1 gjethe dafinë (sipas preferencës)
Përgatitja
Si fillim, pastroni me ujë të rrjedhshëm copat e mishit të pulës dhe më pas vendosini në një tenxhere ku keni hedhur pak vaj ulliri dhe pak gjalpë të freskët.
Kaurdisni për 1-2 minuta nga të dyja anët, shtoni kripë dhe mbulojini mirë me ujë.
Lërini të ziejnë derisa mishi i pulës të jetë zbutur.
Pasi mishi i pulës të ketë zierë, i largojmë thelat nga tenxherja dhe i lëmë mënjanë.
Ndërkohë në një tenxhere tjetër shtojmë vajin e ullirit dhe hedhim miellin e misrit. Me një lugë druri e kaurdisim derisa të marrë ngjyrë të artë.
Tek mielli i misrit shtojmë pak nga pak lëngun e mishit të pulës dhe e përziejmë vazhdimisht, që të mos krijohen kokrriza.
Shtoni masën e lëngut të pulës dhe ta përzieni mirë derisa masa të njëtrajtësohet me lëngun.
Më pas, mishin e pulës e shtojmë tek tenxherja ku kemi lëngun e pulës me miellin e misrit.
Shtojmë dhe piperin e zi dhe të kuq dhe 3 thelpinj hudhra të shtypura sipas dëshirës, dhe e lëmë që të vlojë në zjarr mesatar.
Nëse preferoni, për më shumë aromë mund të shtoni edhe një gjethe dafine.
Kjo supë duhet të jetë pak më e plotë dhe jo shumë e lëngshme, dhe nëse shohim që kemi shtuar shumë nga lëngu i mishit të pulës, mund të shtoni fare lehtë një lugë gjelle me pure patatesh.
Pasi të jetë zierë, e heqim tenxheren nga zjarri dhe e ndajmë nëpër pjata të thella, dhe para se ta shërbejmë shtojmë sipas preferencës pak majdanoz të freskët. /Lajmi.net/