Supa e pulës me lulelakër – Shëndeti në një pjatë supë

Shija perfekte për të mboshtur viruset.

Lifestyle

08/04/2021 11:46

E lehtë dhe shumë e shëndetshme. Supa me lulelakër është receta më e mirë për të mbajtur trupin në formë dhe mendjen e mprehtë.

Kjo supë është një alternativë shumë e mirë për të ngrohur organizmin dhe për të mposhtur virozat e stinës.

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

Një pulë e vogël ose 4-5 copa mish pule

300 gr lulelakër

1 patate mesatare

1 karrotë (sipas preferencës)

Një lugë çaji me gjalpë të freskët

2-3 lugë gjelle vaj ulliri

Kripë

Piper

Majdanoz i freskët

Përgatitja

Pastrojmë mishin e pulës me ujë të rrjedhshëm.

Pastrojmë me ujë të rrjedhshëm lulelakrën, të cilat i ndajmë në degëza ndërsa patatet i presim në kubikë shumë të vegjël. Nëse dëshironi të shtoni edhe karrota prijini ato në kubikë shumë të vegjël gjithashtu.

Vendosim një tenxhere në zjarr dhe hedhim vajin e ullirit dhe pak gjalpë të freskët, shtojmë patatet, i kaurdisim për disa minuta dhe më pas shtojmë lulelakrat, i kaurdisim pak dhe i heqim dhe i vendosim në një enë mënjanë.

Ndërkohë në tenxheren me yndyrën e mbetur shtojmë copat e mishit të pulës i kaurdisim, shtojmë kripën dhe më pas shtojmë ujë derisa të mbulohen mirë dhe e lëmë që të ziejë.

Pasi mishi i pulës të ketë zierë, shtojmë lulelakrat dhe patatet dhe i lëmë të ziejnë për maskimumi 5-7 minuta.

Vlerat Ushqyese të Lulelakrës

Lulelakra është e pasur me vitaminë C, K, B-6 dhe acid folik. Ajo përmban gjithashtu kalcium, hekur, magnez, fosfor dhe një sërë vitaminash të tjera të dobishme për organizmin.

Lulelakra përmban antioksidantë që parandalojnë mutacionet e qelizave dhe ulin stresin që formohet nga radikalet e lira.

Lulelakra është e pasur në fibra dhe ujë. Për këtë arsye ajo lufton sëmundjet e lidhura me aparatin tretës.

Ajo ndihmon dhe në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit dhe obezitetit.

Një tjetër përbërës i lulelakrës, kolina, ndihmon në forcimin e memorjes, të muskujve, si dhe ndihmon me problemet e gjumit./Lajmi.net/