Receta e saktë e bukës me fara, mund ta përgatisni lehtësisht në shtëpi

Ndiqni mëposhtë recetën tonë me përpikmëri dhe do të shijoni një kryevepër të kuzhinës së traditës.

Lifestyle

08/04/2021 11:26

Buka është një nga ushqimet që konsumohet më shumë në familjet Shqiptare dhe tradita e saj është tepër e lashtë.

Dikur bukën e përgatisnin gjyshet dhe nënat vetë në shtëpi ndërsa sot mund ta gjeni të shumllojshme në dyqane në çdo cep të qytetit.

Megjithatë le t’i kthehemi traditës së vjetër dhe më të shëndetshmes, asaj të përgatitjes vetë në shtëpi.

Kështu do të shijoni si procesin e gatimit, por edhe një ushqim të sigurt e sipas dëshirave tuaja.

Sot do t’ju sugjerojmë të përgatisni bukën me fara lini e cila është e veçantë në shije dhe e pasur në vlera.

Kjo sepse farat e linit janë të pasura me omega 3 dhe ndihmojnë trurin e sistemin imunitar.

Ndiqni mëposhtë recetën tonë me përpikmëri dhe do të shijoni një kryevepër të kuzhinës së traditës.

Përbërësit

500 gr miell

18 gr maja buke e freskët ose 5 gr maja e thatë

40 gr fara lini

10 gr kripë

300 ml ujë

25 ml vaj ulliri

Përbërësit

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon që të zgjidhni një enë të thellë.

Hidhni aty miellin, majanë e birrës, ujin dhe filloni ta punoni masën ne duar.

Më pas shtoni vajin e ullirit dhe vazhdoni të punoni derisa brumi të marri formë dhe hidhni kripën sipas dëshirës.

Bëni kujdes të krijoni një masë brumi që nuk ju ngjit nëpër gishta.

Kalojeni atë në një sipërfaqe të sheshtë, punojeni përsëri dhe hapni një petë të vogël të trashë.

Në këtë moment shtroni sipër petës farat e linit dhe filloni ta palosni me duar.

Kështu farat do të futen me lehtësi brenda brumit tuaj në mënyrë të barabartë.

Formoni një topth me duar dhe vendoseni brumin sërish në enë.

Këtë herë mbulojeni me qese kuzhine dhe lëreni të pushojë në një ambient të errët përreth 1 orë.

Kur brumi të jetë fryrë e dyfishuar punojeni sërish me duar dhe jepini formën e një buke të gjatë ovale.

Për formën mund të zgjidhni edhe atë që ju dëshironi.

Më pas shtroni një tavë me letër pjekje dhe vendoseni brumin mbi të.

Punojeni dhe lëreni të fryhet edhe për 1 orë tjetër ose të paktën për 30 minuta të tjera.

Pasi koha të kalojë, futeni të piqet në furrë të ngrohtë në temperaturën 200 gradë C për 35-40 minuta.

Kini kujdes që në 5 minutat e para të pjekjes të hapni pak furrën dhe ta spërksani me pak ujë bukën tuaj.

Pasi të jetë gati mund ta ruani për 3 ditë dhe ta konsumoni me gatime të tjera./Lajmi.net/