Byreku me qepë dhe domate – Tradita nga Shqipëria që mund të mos e keni dëgjuar më parë
Shoqërohet në mënyrë fantastike me supa të lehta, kos, dhallë, turshi apo sallata të freskëta.
Lifestyle
Nëse ka një recetë të traditës shqiptare që është e plotë në shije, e me të cilën nuk ngopesh asnjëherë, ajo është receta e byrekut me qepë dhe domate.
Ky është një gatim i vjetër, e përdorur ndër shekuj, me përbërës shumë të thjeshtë.
I përgatitur me mjeshtërinë e duarve të amvisave shqiptare, byreku shndërrohet në një pjatë të mrekullueshme, që tërheq shijen e kujtdo që e provon.
Byreku me qepë e domate ashtu si edhe çdo byrek tjetër shqiptar shoqërohet në mënyrë fantastike me supa të lehta, kos apo dhallë, turshi apo sallata të freskëta.
Përbërësit
(Për brumin)
500 gr miell
1 lugë gjelle kripë
250 ml ujë i vakur
(Për mbushjen)
3 kokrra qepe
3 kokrra domate
3 lugë gjelle vaj ulliri
Kripë dhe pak piper
Përgatitja e mbushjes me qepë e domate
Si fillim grijmë fare hollë qepët. Në një tigan hedhim vajin e ullirin e më pas qepët për t’i skuqur derisa volumi i tyre të bjerë dhe të marrin një ngjyrë të artë.
Në kohën që qepët skuqen hedhim edhe kripën, e nëse dëshirojmë edhe pak piper.
Më pas, grijmë domatet në copa të vogla. Për t’u hequr me lehtësi lëkurën më parë i fusim për pak minuta në ujë të ngrohtë.
I hedhim në tiganin ku kemi skuqur qepët dhe vijojmë t’i skuqim derisa domatet të treten dhe masa të bëhet në formën e salcës kompakte.
Më pas e heqim nga zjarri dhe e lëmë të ftohet.
Përgatitja e brumit për byrekun
Në një tepsi hedhim miellin. Hapim një gropë në mes dhe një lugë kripë ndërsa nisim të shtojmë ujin e vakur duke e punuar brumin me dorë.
E punojmë me duar derisa të krijohet një masë kompakte dhe e ndajmë në dy pjesë të barabarta.
Pjesën e parë të brumit e ndajmë në 10 toptha të vegjël dhe secilin prej topthave nisim t’i hollojmë në petë të vogla.
Të gjitha petat e hapura i vendosim njëra mbi tjetrën duke e spërkatur secilën me disa pika vaj ulliri.
Sigurohemi që petën e fundit të mos e lyejmë me vaj por ta përdorim për të mbuluar petët e tjera.
Më pas, të gjithë petën e krijuar nisim ta hollojmë në përmasat e tepsisë që kemi për petanikun.
Me ndihmën e furçës së kuzhinës, tepsinë e lyejmë me vaj ulliri.
Më pas shtrojmë në petën që kemi holluar duke e puthitur në sipërfaqen e tepsisë.
Hedhim mbushjen me qepë dhe domate mbi petën që kemi shtruar në tepsi.
Edhe për petën e sipërme veprojmë në të njëjtën mënyrë si me petën e parë.
Pasi e kemi hapur e vendosim mbi mbushjen që kemi shtruar, kujdesemi që të bashkojmë mirë anët e të dyja petave.
Byrekun e spërkasim me disa pika vaji ulliri në pjesën e sipërme.
E fusim për ta pjekur në furrë me 200 gradë. Byreku piqet përreth 30 minuta./Lajmi.net/