Raporti i inspektoratit të Postës: Xhevdet Smakiqi e dëmtoi ndërmarrjen me mijëra euro

Para një muaji, Xhevdet Smakiqi është zgjedhur kryshef i ri i Postës së Kosovës. Por, sa ishte në pozitën e drejtorit në këtë ndërmarrje, dyshohet që e kishte dëmtuar Postën me mijëra euro më një veprim të kundërligjshëm.

Lajme

05/04/2021 12:10

Posta e Kosovës ishte tërhequr nga revizioni në Gjykatën Supreme për aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, i cili e obligon Postën që të kthejë në pozitën e drejtorit e saj Gazmend Isufi dhe të njëjtit t’ia paguajë 22 mijë euro në emër të ndryshimit në pagë. Tërheqja e Postës nga Revizioni është bërë pa miratimin e ish-kryeshefit të Postës, Shefqet Avdija.

Kjo kishte bërë që Posta, përkatësisht Drejtoria e Inspektorëve brenda kësaj ndërmarrjeje të nis një rishikim të këtij rasti dhe tërheqjes së bërë.

Lajmi.net e posedon raportin e drejtorisë së Inspektoratit, i cili është hartuar në fillim të vitit të kaluar. Inspektorati, siç shkruan raporti, kishte ardhur në përfundim se tërheqjen nga revizioni e kishte bërë në mënyrë tinëzare pa asnjë autorizim ish-drejtori, tash kryshef, Xhevdet Smakiqi.

Historiku i rastit, sipas raportit:

Gazmend Isufi ka qenë drejtor i Kontrollit të Brendshëm në Postën e Kosovës në kohën kur ndaj tij ishte ngritur një aktakuzë nga Prokuroria, e cila pretendonte se Isufi gjatë periudhës 2013-2015 ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare duke u premtuar personave të ndryshëm punësimin e të afërmve  në Postën e Kosovës. Isufi është shpallur i pafajshëm duke u liruar nga gjitha pikat e akuzës me vendim të formës së prerë.

Por, gjatë asaj periudhe ishin paraqitur rrethana të reja që pamundësonin kthimin e tij në punë: 1. Kontrata e punonjësit si Drejtor i Kontrollit të Brendshëm tashmë kishte skaduar dhe ishte sistemuar në pozitën Zyrtar i shitjes dhe 2. Sipas strukturës organizative e ndryshuar dhe miratuar në Bordin e Drejtorëve, nuk ishte paraparë pozita e Drejtorit të Kontrollit të Brendshëm në Postë.

Në 2016-tën, Isufi e kishte paditur Postën në Gjykatën Themelore për kthimin në vendin e punës si Drejtor i Kontrollit të Brendshëm. Gjykata Themelore, si gjykatë e shkallës së parë me aktgjykim C.nr. 1748/16 të datës 25.09.2018 ka refuzuar në tersi si të pabazuar kërkesën e paditësit Isufi.

Gjykata e Apelit, si gjykatë e shkallë së dytë me aktgjykim të datës 05.03.2019, ka aprovuar në tersi kërkesëpadinë e punëtorit Isufi, duke e detyruar Postën që të njëjtin ta kthejë në punë në pozitën e Drejtorit të Kontrollit të Brendshëm dhe t’i paguaj, ndryshimin e bonuesit dhe trustit në mes gradës 15 dhe 7 për çdo muaj duke filluar nga data 26.04.2016, deri më 30.04.2018, dhe atë në shumë neto të diferencës në pagë prej 22.115.90 euro, kamata e llogaritur në shumën prej 1856 euro, tatim në pagë në burim 2432 euro, trusti 5% në shumën prej 1292 euro, në afat prej 7 ditësh nga dita e marrjes së Aktgjykimit nën kërcënimi të përmbaruesit me dhunë.

Posta e Kosovës më datë 11.04.2019, për shkak se konsideronte se janë bërë shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që të aprovohet i bazuar Revizioni i të paditurës, të prishet Gjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë nr.CP 937/19 për punonjësit Gazmend Isufi: Nga data 1 prill 2019, i është kthyer grada 15, sipas Vendimit nr. 01-167/19 të dt. 03.04.2019; Më 11 tetor 2019, janë kryer pagesat e ndryshimit të pagesës për përudhën 24.06.2016, deri 30.04.2018, dhe pagesat tjera në shumë afër 30 mijë euro; Me vullnetin e punonjësit të shprehur përmes deklaratës nr. 01-2019/19 të dt. 23.10.2019, është lidhur kontrata e punës nr. 01-2192/19 dt. 23.10.2019, për pozitën ekuivalente Këshilltar i KE për Shërbime Universale Postare.

Më datën 23 dhjetor 2019, në Postën e Kosovës ka shkuar Aktvendimi i Gjykatës Supreme, ku konstatohej se ishte tërhequr Revizioni i të paditurës Rev. Nr. 335/2019, i paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës.

Pra, vetëm pas arritjes së Aktvendimit të Gjykatës Supreme ishte kuptuar se më datë 14 tetor 2019, Drejtori i Drejtorisë për Çështje Ligjore të PK, Xhevdet Smakiqit, ka bërë tërheqjen e revizionit në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Më datë 27 dhjetor 2019, KE-ja (Kryshefi Ekzutiv) ka kërkuar nga Sekretari i Korporatës dhe Drejtoresha për RNJAP të japin rekomandimet profesionale se si të veprohet në këtë rast.

Ndërsa, Argjent Sefa, Këshilltar i Përgjithshëm /Sekretar i Korporatës, në lidhje me rastin ka rekomanduar “Pas shqyrtimit të e-mailit të z.Xhevdet Smakiqi, unë propozoj se ndaj të njëjtit të shqiptohet vërejtje nga ana e juaj. Kjo mas disiplinore mendoj se do të arrinte efektin e vet që i njëjti në të ardhmen të mos e përsërisë një gjë të tillë pa konsultim me ju, po ashtu pranimi i gabimit dhe kërkim falje duhet të merret parasysh nga ana e juaj”.

Xhyljeta Izmaku –Rama, drejtoreshë për RNJ, kishte thënë që: “Pasi që kemi të bëjmë me shkelje të rënd të natyrës së punës, keqpërdorim të aseteve të ndërmarrjes, siç janë përdorimi i vulës zyrtare, rasti duhet të trajtohet nga Komisioni disiplinor, i cili ka përgjegjësi të hetojë dhe të vlerësoj të gjitha faktet lidhje me shkeljet e supozuara disiplinore dhe kodit të mirësjelljes dhe procedurave disiplinore të punonjësve te PK. Opsioni i dytë është që të kryehut një hetim nga Inspektorati i Postës, të cilët mund të japinë dhe rekomandime për këtë lëndë”.

Më 10 janar 2020, ishte ngarkuar Drejtoria e Inspektoratit për inspektimin dhe hulumtimin e rastit.

Konstatimi i fakteve dhe konkluzioneve të Inspektoratit

Tutje, në raport Inspektorati ka shkruar se “pas shqyrtimit me kujdes të të gjitha rrethanave dhe fakteve të këtij rasti kemi konstatuar se Drejtori i Drejtorisë për Çështje Ligjore të PK, z. Xhevdet Smakiqi, pa pëlqimin dhe dijeninë e Kryshefit Ekzutiv, Shefqet Avdija, në dëm të Postës së Kosovës dhe në kundërshtim me vendimin e KE-së për delegimin e nënshkrimeve dhe deponimin e tyre në arkiv, ka bërë tërheqjen e revizionit në Gjykatën Supreme të Kosovës, me ketë tekst “Posta e Kosovës, pasi që ka zbatuar Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimit përmbarimor të Gjykatës Themelore të përshkruar si në Mjetin e Jashtëzakonshëm Juridik  të dorëzuara në Gjykatën Supreme, e Tërheq Revizionin me referencë REC. 335/19”.

Në raport theksohet se veprimi arbitrar i Smakiqit i ishte konfirmuar Inspektoratit edhe nga ish-Kryshefi Ekzutiv, Shefqet Avdija në sqarim e ofruar përmes Emilit zyrtar të dt.21.01.2020, ku në pyetjen: A ju ka konsultuar paraprakisht z.Smakiqi për tërheqje të revizionit kundër aktgjykimit së shkallës së dytë?, Avdija ishte përgjigjur “Z.Smakiqi më ka pyetur/konsultuar dhe përgjigja ime ka qenë “Jo”, sepse jam i interesuar për ligjshmëri në plotin dhe se rastin në fjalë dua t’i shtjerr të gjitha mundësitë/opsionet ligjore”.

Po ashtu, edhe menaxheri për Çështje Ligjore, Ragip Hoxha në e-mailin e dt 22.01.2020, nga e njëjta pyetje e parashtruar kishte konfirmuar se “këtë çështje e ka diskutuar në mënyrë verbale në zyrën tonë dhe në prezencën edhe të kolegëve tjerë diku në fillim të tetorit 2019, që me një propozim te tillë nuk jam pajtuar dhe e kam kundërshtuar që ta bëjë”.

Tutje, Inspektorati ka shkruar në raport se, përmes veprimit arbitrar të tërheqjes së revizionit, Smakiqi ka mundësuar të mbetët në fuqi vendimi i Gjykatës Supreme, me të cilin Posta është dëmtuar financiarisht afër 30 mijë euro (nga 26.04.2016-30.04.2018) nga pagesat e ndryshimit të pagës për punonjësin Gazmend Isufi dhe rreth 10 mijë euro deri me sot me kontratën e re, dëm ky i cili vazhdon të rrjedh çdo muaj deri në një vendim të ardhshëm gjyqësor”.

Në raport është theksuar edhe përgjigja që Smakiqi që ia kishte dhënë Inspektoratit me datë 27.12.2019. Shkresën për tërheqjen e revizionit ai e kishte arsyetuar me volumin e madh të punëve, si veprim të paqëllimshëm dhe gabim njerëzor, dhe se deri në atë kohë mjetet e jashtëzakonshme (revizioni) në asnjë rast nuk i janë provuar Postës, por përdoreshin si praktik për të shteruar të gjitha mundësit. “Fajin për këtë gabim njerëzor e barti unë si drejtor i DQL-së dhe nuk do të lejojë që të përsëritet në raste të tjera, kurse ju ka qenë ters ishte i pa qëllimshëm dhe pas asnjë paragjykim, andaj çdo pasoj për peshën e këtij gabimi njerëzor jam gati ta bart si drejtor me përvojë masive dhe volum të madh të punëve nder vite brenda Postës së Kosovës”.

Por, Inspektorati ka konstatuar se “z.Smakiqi ka vepruar me dashje dhe me vetëdije të plotë dhe pse e ka ditur se veprimi i tij është në dëm të ndërmarrjes, dhe nuk bëhet fjalë për volum të madh të punën dhe gabim njerëzor”.

Hetimi i inspektoratit e ka nxjerr përgjegjëse edhe Argjira Grapci, menaxhere për Marrëdhënie Ndërkombëtare me AP dhe UPS, pasi në bazë të hulumtimit, ajo ia kishte vulosur dokumentin, apo ia kishte mundësuar vulën për vulosje të dokumentit.

Po ashtu, Inspektorati e kishte bërë përgjigjes edhe, Gylentene Arifi, arkiviste e PK. “Edhe pse nuk e ka protokuluar dokumentin, mbanë përgjegjësi për mos raportim të rastit”.

Në fund të raportit, i cili përmban tetë faqe, inspektorati kishte rekomanduar inicimin e procedurës disiplinore ndaj tre punonjësve të Postës për shkak të shkeljeve të rënda të detyrave të punës të parapara me ligj dhe kontratën e punës, në mënyrë që komisioni disiplinor t’i shqyrtojë, vlerësojë të gjitha faktet lidhur me shkeljet e ngritura dhe të vendos për procedurë të mejtepe ligjore, konfrom rregulloreve të brendshme dhe ligjeve në fuqi.

Pra, inspektorati kishte ardhur në përfundim se për Xhevdet Smakiqi- Drejtor për Çështje Ligjore në Postën e Kosovës, ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare, apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, i Kodit Penal të Kosovës.

Po ashtu është konfirmuar se edhe dy nëpunësit tjerë kishin kryer vepër penale.

Lajmi.net nuk ka mundur të marrë një përgjigje nga ish-kryshefi Ekzutiv, Shefqet Avdija lidhur me atë se pse nuk kishte marr masa ndaj Smakiqit, pasi raporti i Inspektoratit ishte përpiluar në janar 2020, ndërsa ai ishte larguar si Kryshef pak muaj më vonë.

Xhevdet Smakiqi ka qenë zyrtar polik, pasi i njëjti ka qenë anëtar i Nisma Social Demokrate, nga e cila parti ka qene edhe kandidat për deputet. I afërt njerëz të politikës nga radhët e AAK-së është shfaqur edhe në fund të vitit të kaluar, konkretisht me Haxhi Shalën, i cili kishte aderuar nga Nisma në AAK. Por, Smakiqi e kishte mohuar se edhe ai kishte kaluar në AAK. Kishte thënë se aktivitetin politik e ka mbyllur.

Në nëntor të vitit 2020, Bordi i Drejtorëve në mbledhjen e mbajtur e kishte caktuar atë si ushtrues detyre të drejtorit ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje publike. Ndërkohë, në Mars të këtij viti është emëruar Kryshef Ekzekutiv në Posten e Kosovës. /M.B-Lajmi.net/