Prokuroria kërkon nga Gjykata e Apelit dënim me burgim për drejtorin e urbanizmit të Obiliqit cili është dënuar me gjobë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, po kërkon nga Gjykata e Apelit dënim me burgim efektiv për drejtorin e urbanizmit në Komunën e Obiliqit, Arben Berisha të dënuar me 3600 euro gjobë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lajme

31/03/2021 12:58

Ankesa e prokurorisë është shqyrtuar të mërkurën nga kolegji i gjykatësve të apelit, i përbërë nga kryetari i kolegjit, gjykatësi Driton Muharremi dhe anëtarët Vaton Dërguti dhe Abdullah Ahmeti.

Berisha bashkë me Kryesuesin e Kuvendit Komunal të Komunës së Obiliqit, Burim Gërguri, inspektorin e ndërtimit, Ibrahim Krasniqi dhe zyrtaren komunale Merita Simnica akuzohen se në kundërshtim me ligjin kishin lejuar ndërtimin e objekteve të bizneseve në toka bujqësore në Komunën e Obiliqit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këto akuza i akuzuari Berisha gjatë seancës fillestare të mbajtur më 15 shkurt 2021 kishte pranuar fajësinë dhe Gjykata Themelore në Prishtinë, ndaj tij kishte shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej 6 muajsh, dënim ky i cili me pëlqimin e të akuzuarit ishte zëvendësuar me gjobë.

E pakënaqur me dënimin e shqiptuar ndaj Berishes, Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte ushtruar ankesë sa i përket lartësisë së dënimit, me propozimin që ankesa e prokurorisë të aprovohet dhe aktgjykimi i atakuar të ndryshohet ashtu që  ndaj të akuzuarit të shqiptohet dënim me burgim efektiv.

Kjo me arsyetimin se gjykata me rastin e marrjes së aktgjykimit kishte mbivlerësuar rrethanat lehtësuese dhe kishte injoruar rrethanat rënduese.

Ndërkaq mbrojtësi i të akuzuarit Berisha, avokati Florin Vërtopi ka ushtruar përgjigje në ankesë me propozimin që gjykata e shkallës së dytë të refuzojë ankesën e prokurorisë dhe të vërtetojë aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Avokati Florin Vërtopi deklaroi se ankesa e prokurorit bazohet vetëm në rrethana rënduese të cilat i cek si rrethana rënduese mirëpo të njëjtat janë elemente të veprës penale.

“Rrezikshmëria është element i kundërligjshmërisë, dashja është element i përgjegjshmërisë, dhe nuk mundesh elementet e veprës penale t’i marrësh si rrethana rënduese”, tha ai.

Avokati Vërtopi deklaroi se vendimi i Gjykatës së Apelit nuk mund të bazohet në kërkesat e prokurorisë, por që vendimi duhet të merret në bazë të rrethanave të individualizimit të veprës penale.

I akuzuari deklaroi se i mbrojturi i tij ka dhënë deklaratë të sinqertë, ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë dhe është penduar thellë.

Ndërkaq vet i akuzuari deklaroi se e ka kuptuar gabimin dhe për këtë edhe ka pranuar fajësinë.

“E përkrahi në tërësi, është hera e parë që jam këtu për mua dhe familjen time, unë jam ardh ku jam ardh , kemi zbatu një vendim të Kuvendit e kom pa që kom gabu, e kom pranu fajësinë dhe e pranoj fajësinë”, tha vet i akuzuari gjatë kësaj seance.

Në anën tjetër, Prokuroria e Apelit përmes parashtresës ka propozuar që ankesa e prokurorisë të aprovohet si e bazuar.

Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Merrushe Llugiqi, më 30 shtator 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj, Arben Berishës, Merita Simnicës, Burim Gërgurit dhe Ibrahim Krasniqi.

Të katër këta të akuzuar, nga prokuroria ngarkohen me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, Arben Berisha si drejtor në Drejtorinë për Planifikim Urban, Pronë, Gjeodezi dhe Kadastër në Komunën e Obiliqit dhe Merita Simninca shefe në këtë drejtori, me qëllim që t’i sjellin çfarëdo dobie pasurore vetes apo tjetrit, në këtë rast Blerim Krasniqit, pronar i fabrikës së mobileve “Berto”, kishin keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit e kishin bërë një gjë të tillë pasi kishin lëshuar leje ndërtimore më 3 prill 2019 për ndërtimin e fabrikës së mobilieve “Berto”, në kundërshtim me udhëzimin administrativ nr.41/2006 dhe Ligjit për tokën bujqësore. Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë qenë në dijeni se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e kishte refuzuar kërkesën e Blerim Krasniqit për ndërrimin e destinimit të tokës në fjalë nga bujqësore në jo bujqësore.

Ndërsa, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Obiliqit, Burim Gërguri po akuzohet se edhe pse kishte qenë në dijeni për vendimin e lartcekur të Ministrisë së Bujqësisë, më 26 dhjetor 2018 kishte nënshkruar një vendim me të cilin e kishte aprovuar kërkesën e Blerim Krasniqit për ndërrimin e destinimit të tokës nga bujqësore në jo bujqësore, vendim i cili sipas prokurorisë ishte nxjerr në kundërshtim me ligjin për tokën bujqësore, udhëzimin administrativ nr.41/2006 dhe në kundërshtim me planin zhvillimor komunal dhe urban 2009-2020 të Komunës së Obiliqit.

Kurse, Ibrahim Krasniqi po akuzohet se në cilësinë e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Obiliqit, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare gjatë viteve 2017 dhe 2018, ashtu që nuk ka ndërmarr masat e duhura në pajtim me autorizimet e tij ligjore për ndërprerje të punimeve pa leje ndërtimi të bizneseve “SB Construction”, “Beni-1” dhe “Berto”.

Sipas aktakuzës, Krasniqi nuk i kishte ndaluar punimet në tri objekte të bizneseve të lartcekura, ashtu që të njëjtave u kishte mundësuar përfundimin e punimeve pa u pajisur me leje ndërtimore.