Dybala afër largimit nga Juventusi, zbulohen të rejat e fundit rreth kontratës së tij

Klubi i Juventusit po refuzon që të ofrojë një pagë më të lartë për Paulo Dybalan dhe ky i fundit mund të largohet në afatin kalimtar të verës.

Sport

24/03/2021 19:13

Kështu raporton Football Italia, të cilët njoftojnë se oferta e Zonjës së Vjetër për Dybalan është vetëm 10 milion euro në sezon, transmeton lajmi.net.

Këtë ofertë, argjentinasi veçse e ka refuzuar së bashku me agjentin e tij, Jorge Antun, në fillimin e sezonit, mirëpo Juventus po punon me idejën “pranoje ose largohu”.

Football Italia gjithashtu raportojnë se agjenti i Dybalas nuk ka qenë në kontakt me klubin së fundmi, duke ia bërë të qartë se nuk e pranojnë ofertën e tyre.

Zëvendës-presidenti i klubit, Pavel Nedved, ka thënë gjatë ditës së sotme për DAZN se e ardhmja e lojtarit nuk është e sigurt: “Ai i ka mbetur një vit nga kontrata e tij dhe unë nuk kam asgjë për të shtuar në atë që thanë Paratici dhe Agnelli. Juventus do të vlerësojë çdo mundësi në treg ”.

Dybala ka zhvilluar shumë pak ndeshje këtë sezon për shkak të problemeve me muskuj, por po shpreson të rikthehet në fillimin e muajit të ardhshëm.

Kontrata e argjentinasit do të përfundojë në vitin 2022./Lajmi.net/