Publikohen gjetjet e sondazhit në Shqipëri: 38 për qind e qytetarëve thonë se nuk do vaksinohen

Vaksinimi kundër COVID-19 po vijon për stafet mjekësore, të moshuarit dhe mësuesit, megjithatë 37.7 % e shqiptarëve thonë se nuk do e bëjnë vaksinën.

Lajme

23/03/2021 12:47

Ky është rezultati i nxjerrë nga sondazhi i tretë kombëtar i Euronews Albania në bashkëpunim me kompaninë prestigjioze MRB.

1600 qytetarë u pyetën gjatë muajit mars nëse do e kryejnë apo jo vaksinën kundër COVID-19 dhe rreth 60% e tyre shprehen të gatshëm.

Megjithatë përqindja e personave që thonë se nuk do e bëjnë vaksinën mbetet e konsiderueshme.

Nga sondazhi vihet re se grupmosha 18-34 vjeç ka përqindjet më të larta të refuzimit të kryerjes së vaksinës, ndërsa grupmosha  55- 75 vjeç shprehet më e gatshme për t’u vaksinuar.

Vaksina Astrazaneka ishte ajo që vuri në pikëpyetje gatishmërinë për t’u imunizuar, për shkak se mbi 10 shtete e pezulluan përdorimin e saj.

Megjithatë pas përfundimit të EMA se mpiksja e gjakut nuk kishte të bënte me vetë vaksinën, shumë vende e rinisën sërish procesin.