Maqedonia e Veriut zgjat orën policore antiCovid-19 deri më 6 prill

Ora policore në Maqedoninë e Veriut që zbatohej në dy javët e kaluar nga ora 22:00 deri në orën 05:00 është zgjatur deri më 6 prill, njoftoi qeveria.

Lajme

23/03/2021 12:36

Në njoftimin nga qeveria thuhet se vendimi është marrë me rekomandim të Komisionit për Sëmundjet Infektive, ndërsa do të fillojë prej sot.

Ora policore do të zbatohet nga ora 22:00 deri në orën 05:00 çdo ditë deri më 6 prill.

Më 9 mars, gjatë një seance të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, u mor vendim për të zbatuar orë policore për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, që zgjat nga 22:00 deri në 05:00.

Ora policore për herë të parë u zbatua në vend në muajin mars të vitit të kaluar, në kohë të ndryshme, për të parandaluar përhapjen e COVID-19 dhe më 27 maj, si pjesë e masave lehtësuese, u mor një vendim për ta shfuqizuar atë.

Sipas raporteve më të fundit të institucioneve shëndetësore, që nga fillimi i epidemisë në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 119 378 raste me COVID-19, numri i vdekjeve është 3 473 ndërsa numri i rasteve aktive arrin në 15 131. /Lajmi.net/