Axha i Albin Kurtit: E kam pritur fitoren e Vetëvendosjes – ai është sakrifica për dikë tjetër jo për vete
Hamëz Kurti, axha i liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka pritur fitoren e kësaj lëvizjeje në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 14 shkurt në Kosovë.
Lajme
“E kam pritur që fiton”, ka thënë ai.
Hamëz Kurti në një intervistë ekskluzive për Klan Kosova, ka thënë se është populli i Kosovës që do ta vlerësojë punën e nipit të tij në qeverisje.
“Çfarë pres unë nuk është e rëndësishme, është me rëndësi çfarë pret populli i Kosovës dhe ata do ta vlerësojnë Albinin, a do t’i plotësojë kushtet për të cilat vet ka thënë. Populli i Kosovës do ta vlerësojë. Ata e njohin më së miri. Ai është rritur atje në frymë të Prishtinës”.
Sa i përket karakterit të Albin Kurtit, ai është shprehur se ai gjithmonë i ka realizuar qëllimet e tij, qysh se ka qenë fëmijë.
“Ai ka qenë i përpiktë, ka pasë një princip: nëse e ka pa se është në të drejtë dhe është konsultuar me njerëz pak më me përvojë edhe nëse i ka kundërshtuar dikush nuk është tërhequr prapa, e ka bërë të vetën dhe ia ka arrit qëllimit dhe në fund ka dalë i drejtë. Edhe ata që kanë qenë kundër tij ia kanë pranuar se ka qenë i drejtë”.
“Albini është tip që nuk është i vetvetes, është i tjetër kujt dhe është sakrificë për dikë tjetër, jo për vete”.
Ndërkaq sa i përket vizitës së vendlindjes së të atit të tij, fshatit Sukobinë të Malit të Zi, Hamëz Kurti ka thënë se vizitat e të nipit – Albin Kurtit janë vetëm për raste të veçanta.
“Albini në kohët e fundit veç ndonjë rast të shyqyrit, siç themi ne, ka ardhur këtu. Ka qenë para një viti e gjysmë – dy kur e kemi pasë gazmendin, e kam martuar vajzën. Ka qëndruar një natë dhe është dashtë të kthehet sepse ka qenë i zënë me punë”.
