Tava e Gjakovës me perime dhe mish – Receta e drekës

Ky gatim shoqërohet me sallata të freskëta të stinës, e sidomos me zahiretë tradicionale siç janë turshitë e ndryshme.

Lifestyle

15/02/2021 11:21

Një recetë e vjetër dhe specialitet i hershëm i kuzhinës kosovare, tipike e zonës së Gjakovës. Fantastik në shije dhe e pasur në përbërës dhe vlera ushqyese gjithashtu, transmeton lajmi.net.

Kuzhina gjakovare është me nam për shijen e saj teksa kërkon mjeshtërinë e amvisave në përgatitjen e gatimeve të ndryshme.

Ky gatim shoqërohet me sallata të freskëta të stinës, e sidomos me zahiretë tradicionale siç janë turshitë e ndryshme.

Përbërësit

4-5 thela mish viçi

Dy kunguj të njomë

Dy patëllxhanë mesatarë

2-3 karrota

3 speca jeshilë

1 spec djegës

4-5 kokrra qepë

1 kg domate

6-7 thelpinj hudhra

Kripë

Piper i zi

Piper i kuq

Majdanoz i freskët

4-5 lugë gjelle vaj ulliri

Përgatitja

Si fillim pastrojmë copat e mishit dhe i vendosim në një tenxhere me ujë. I vendosim në zjarr dhe i lëmë të ziejnë sa të marrin një valë.

Ndërkohë nisim të presim me rradhë të gjithë perimet.

Grijmë qepët përmes një thike të mprehtë dhe i vendosim në një tjetër tenxhere, shtojmë vaj ulliri dhe i vendosim në zjarr duke i kaurdisur.

Në vijim grijmë hollë specin djegës si dhe specat jeshilë.

I shtojmë në tenxheren ku po kaurdisim qepët.

Më pas shtojmë karrotat e grira në kubikë dhe i kaurdisim të gjitha bashkë.

Shtojmë kungulleshkat e prera në kubikë si dhe patëllxhanët duke i kaurdisur të gjithë bashkë derisa volumi i tyre të bjerë.

Ndërkohë, domatet e grira, i kriposim pak, u hedhim pak vaj ulliri, hudhrat, pak piper të zi dhe të kuq,  majdanoz të grirë hollë, i vendosim në një tavë dhe i fusim në furrë duke i trazuar herë pas here.

Domatet i lëmë në furrë përreth 30 minuta.

Më pas, perimet i shtojmë në tavën me domate dhe i përziejmë të gjitha bashkë, e provojmë për kripë nëse është në masën e duhur.

Heqim tenxheren e mishit nga zjarri dhe copat e mishit i vendosim në tavë.

Tavës i shtojmë një gotë me lëngun e mishit dhe e fusim të piqet në furrë. Pas pjekjes mund t’i shtoni edhe erëza të tjera të freskëta sipas preferencës. /Lajmi.net/