Zidane i zemëruar: Kjo nuk ishte ndeshje futbolli, duhej të suspendohej

Trajneri i Real Madrid, Zinedine Zidane, ka qenë tejet i zemëruar me barazimin pa gola të Realit ndaj Osasusas në kuadër të xhiros së 18-të të La Liga.

Sport

10/01/2021 08:14

Zidane është shprehur tejet i zhgënjyer me zyrtarët e La Ligas, të cilët vendosën për vazhdimin e ndeshjes sipas orarit të caktuar, transmeton lajmi.net.

Më herët gjatë ditës, La Liga njoftoi se ndeshja mund të shtyhet, por se punimet për përgatitjen e fushës po vazhdonin. Vendimi për suspendimin e ndeshjes u la në duart e gjyqtarit të ndeshjes, Cesar Soto Grado.

Sidoqoftë, ndeshja vazhdoi dhe “Los Blancos” regjistruan një paraqitje të dobët, ku patën vetëm një goditje në portë.

“Është shumë e vështirë të luash në këto kushte, por në fund u mor vendimi që duhet të luanim dhe të gjithë e pamë se çfarë ndeshje ishte. Jo, nuk ishte vendimi i duhur për të zhvlluar ndeshjen, por në fund të ditës ne duhet të bëjmë atë që na është thënë”, tha ai.

“Nuk e di nëse do të kthehemi në Madrid të hënën, të martën apo dikur tjetër, sot është dita për të thënë disa gjëra. Nuk pashë një lojë futbolli sonte. Por ne do të vazhdojmë. Ne kemi një ndeshje të mërkurën dhe shpresojmë se do të kemi kushtet e duhura për ta luajtur atë”, tha Zidane.

“Kushtet e fushës, më shumë se çdo aspekt tjetër ishin për tu ankuar, edhe fakti që mbetëm në aeroplan për tre orë. Sipas mendimit tim, nuk ishin kushtet e duhura që ne të luanim një lojë futbolli”, shtoi tekniku francez.

Kur u pyet se a do të duhej të anulohej ndeshja, përgjigja e tij ishte e thjeshtë.

“Sigurisht që po”, përfundoi Zinedine Zidane./Lajmi.net/