Gjilani ia dedikon fitoren familjes së Engjull Smërqakut
Gjilani ka triumfuar në derbin e xhiros së tetë në Superligën e Kosovës në futboll, teksa e ka mposhtur në udhëtim skuadrën e Prishtinës me rezultat 2-0.

Sport
“Kuqebardhët” në këtë takim u drejtuan nga drejtori sportiv i kësaj skuadre, Sallah Sherifi, i cili pas ndeshjes tregoi çelësin e kësaj fitore dhe pati një dedikim emocionues për këtë triumf.
“Dhamë maksimumin për ta fituar këtë ndeshje. Gjithë futbollistët treguan përkushtim maksimal nga minuta e parë dhe unë jam shumë i kënaqur me atë se çfarë kanë shfaqur, duke i përgëzuar për karakterin dhe disiplinën e shfaqur”, theksoi fillimisht Sherifi në Klan Kosova.
“Kjo fitore i dedikohet familjes së Smërqakut që humbën anëtarin më të dashur të familjes së tyre Engjullin dhe po ashtu tifozërisë “Skifterat” të cilët e humbën anëtarin e tyre”, shtoi ndër të tjerash Sherifi.
Më pas Sherifi u rikthye të flas edhe për çështjen e kryetrajnerit Gentjan Mezani, i cili është duke munguar për arsye familjare.
“Kryetrajneri Mezani do të rikthehet së shpejti, pasi që ka disa probleme familjare për t’i rregulluar. Ne e presim atë për t’u rikthyer”, përfundoi Sherifi.
Në kuadër të xhiros së nëntë, Gjilani e pret në shtëpi skuadrën e Besës.