Dallaveret ‘patriotike’ të Mytaher Haskukës

Më 29 shtator të 2018-s këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit me shumicë votash kishin miratuar vendimin për ngritjen e bustit të Skënderbeut, si dhe shtatores së Adem Jasharit në Prizren.

Lajme

08/10/2020 18:35

Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar, në Prizren, është vendosur gurthemeli i shtatores së heroit Gjergj Kastrioti. Por, shtatorja nuk është vendosur ende.

“Projekti do të jetë i gatshëm në muajin mars të vitit 2019”, kishte thënë kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka në vënien e gurthemelit. Më pas ishte premtuar edhe në muajin shtator. Komuna e Prizrenit ka bërë një hap për jetësimin e këtij projekti, por e ka bërë duke e shkelur ligjin.

Komuna ka synuar që kundërligjshëm të realizojë procedurat e prokurimit për rregullimin e bazamentit ku do të vendoset shtatorja, pasi ka favorizuar një kompani që nuk i ka përmbushur kriteret që vetë komuna i ka vendosur në dosjen e tenderit. Shtatorja mbi 3 metra (pa bazament) është financuar nga Shoqata e Prizrenit në mërgim “Trojet e Arbrit”.

Më 22 qershor, Komuna e Prizrenit ka bërë njoftim për kontratë për tenderin “Rregullimi i bazamentit për vendosjen e bustit të Skënderbeut në Prizren”. Pas dy muajve, tenderi i është dhënë kompanisë “Jetmir Zenelaj B.I”, me çmim rreth 5000 euro.  Me këtë vendim nuk ishin pajtuar kompanitë “Mega Project” dhe “Lani –AL”, pasi konsideronin se kompania nuk i përmbush disa prej kritereve bazike që janë kërkuar në dosjen e tenderit.

Andaj, kompanitë fillimisht ishin ankuar tek Autoriteti Kontraktues, por Komuna ua kishte hedhur poshtë ankesën. Andaj kompanitë ishin ankuar më pas në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

OSHP ka gjetur shkelje dhe më datë 25 shtator ka marr vendim që ky tender të kthehet në rivlerësim.

Sipas OSHP-së, në kërkesën e dosjes së tenderit dhe njoftimin për kontratë është kërkuar: “Projektet e natyrës së kontratës realizuar në tri vitet e shkuara (duke filluar nga koha e publikimit të njoftimit) e vërtetuar nga Operatori Ekonomik, ku përfshihen titujt e projekteve, numri, data e kontraktimit të standrateve dhe vlera e tyre, vlera, minimalet e të gjitha projekteve të natyrës së kontratës duhet të jetë jo më e vogël se 12.00,00 euro”. Ndërsa si dëshmi dokumentare është kërkuar: “Lisa e projekteve të natyrës së kontratës e vërtetuar për tri vitet e fundit nga OE për dosjen elektronike, të dëshmuar me referenca dhe kontrata të cilat dëshmojnë vlerën e punëve dhe natyrën e tyre apo proces verbal të pranimit përfundimtar të shërbimeve”.

Paneli Shqyrtues konfirmon se në ofertën e OE të rekomanduar për kontratë nuk ka hasur në listën e projekteve të natyrës së kontratës, referenca në lidhje me këtë si dëshmi të kërkuar në dosjen e tenderit.

Paneli shqyrtues duke u bazuar në shkresat e lëndës të cilat i ka pasur në dispozicion si dhe në sqarimet e ekspertit shqyrtues, vjen në përfundim se ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i ofertave nuk është bërë konform nenit 59 të Ligjit të Prokurimit. Andaj, sipas OSHP-së obligohet Autoriteti Kontraktues të kërkojë sqarime shtesë nga OE i rekomanduar për kontratë, ashtu siç u cek më lartë dhe të iu përmbahet në tërësi dispozitave të LPP-së, duke u bazuar në kërkesat të cilat i ka përcaktuar në dosjen e tenderit dhe njoftimit për kontratë.

Edhe pse OSHP-ja ka kërkuar që lënda të kthehet në rivlerësim që më datë 25 shtator, në fuqi akoma është vendimi i komunës për dhënie të kontratës, pasi kjo komunë akoma nuk ka bërë njoftim për anulimin e dhënies së kontratës.

Shtatorja e siguruar nga Shoqata “Trojet e Arbrit”, që ka kushtuar 70 mijë euro do të vendoset tek rrethrrotullimi pranë stacionit të autobusëve, në hyrje-daljen e rrugës Prizren-Gjakovë, tek ish-qendra tregtare “Ben-af”, /Lajmi.net/

Më poshtë mund të shihni projektin: