Dy vjet nga zgjedhjet e parakohshme në Kosovë

Sot janë bërë dy vjet qëkur qytetarët e Kosovës dolën të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat u mbajtën pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale në Hagë.

Lajme

06/10/2020 07:32

Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), në këtë garë zgjedhore ishin përfshirë 25 subjekte politike, prej tyre 20 parti politike, 4 koalicione dhe një kandidat pavarur, derisa të drejtë vote kishin 1.937.869 votues të regjistruar në listën zgjedhore.

Procesi zgjedhor në mbarë territorin e Kosovës u vëzhgua nga rreth 50 mijë vëzhgues dhe komisionarë të angazhuar, ndër të cilët edhe nga Bashkimi Evropian.

Në këto zgjedhje fitoi Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, por në pamundësi për të formuar si e vetme qeverinë, ajo u detyrua të hyjë të bëjë koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës të Isa Mustafës.

Qeveria Kurti nuk zgjati më shumë se 50 ditë, pasi u shkarkua me mocion të mosbesimit, pas përplasjeve të brendshme për shkak të shkarkimit të ministrit të Brendshëm Agim Veliu në kohë pandemie.

Lëvizje Vetëvendosje kërkoi zgjedhje të reja, por kjo u refuzua nga një pjesë e partive tjera, të cilat formuan Qeverinë e re të udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së, pjesë e së cilës janë edhe AAK, NISMA.

Ndryshe, këto ishin zgjedhjet e katërta të parakohshme parlamentare, nga gjithsej shtatë të mbajtura në vend. /Lajmi.net/