Maskat vetëm për foto, një pamje tregon çka ndodhte në pjesën e pasme të autobusit qeveritar
Kabineti qeveritar i Republikës së Kosovës sot mori rrugën për në Tiranë, ku po mbahet mbledhja e përbashkët e dy Qeverive shqiptare.
Lajme
Qeveria në krye me Avdullah Hoti, vendosi që drejt Tiranës të udhëtojë me autobus dhe jo me vetura zyrtare.
E mëngjesin e sotëm, posa u nisën nga Kosova, ishte kryeministri Hoti ai që u kujdes të informojë publikun se u nisën për takimin në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
“Bashkë me kabinetin rrugës për Shqipëri. Për pak takohemi me kolegët tanë nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. #Bashkë”, ka shkruar Hoti.
Në fotografi vërehen zyrtarët qeveritarë të cilët janë të pajisur me maska mbrojtëse kundër COVID-19.
Por një fotografi e shkrepur nga zëvendëskryeministri nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ku shihet së bashku me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, vërehet se maskat mbrojtëse mungojnë, shkruan Reporteri.net.
Në ulësen prapa tyre shihet edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, i cili po ashtu nuk ka maskë.
Që nga 1 korriku, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që bartja e maskës të jetë obligative.
Me ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë parashihen dënime për të gjithë ata që nuk zbatojnë vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe organeve kompetente.