Vdes nga kanceri, personi i parë i shëruar nga HIV-i
Personi i parë i kuruar nga virusi HIV - Timothy Ray Brown - ka vdekur nga kanceri.
Bota
Brown, i cili është njohur edhe si “pacienti i Berlinit”, është shëruar më shumë se një dekadë më parë, me një transplant të palcës së kockave nga një dhurues që ishte natyrshëm rezistent ndaj HIV-it.
Shoqata Ndërkombëtare e AIDS-it, sëmundjes që e shkakton virusi HIV, tha se Brown i ka dhënë botës shpresë se kura për HIV-in është e mundshme.
Brown, 54 vjeç, i cili ka lindur në SHBA, është diagnostikuar me HIV derisa ka qenë duke jetuar në Berlin, në vitin 1995.
Në vitin 2007, ai është diagnostikuar me një lloj kanceri në gjak, të quajtur leukemi akute mieloide.
Brown është shëruar për disa vite, por kanceri i është rikthyer këtë vit, duke iu përhapur në tru dhe në palcën kurrizore.
”Me trishtim të madh ju njoftoj se Timothy vdiq … i rrethuar nga unë dhe miqtë, pas një beteje pesëmujore me leukeminë”, shkroi partneri i tij, Tim Hoeffgen, në Facebook.
Rreth 37 milionë njerëz në gjithë botën jetojnë aktualisht me HIV.
Sëmundja e AIDS-it ka vrarë rreth 35 milionë njerëz qëkur ka nisur në vitet 1980./rel