Thaçi falënderon Trumpin për 50 respiratorët e dhuruar për Kosovën
Presidenti Hashim Thaçi ka falënderuar presidentin amerikan Donald Trump për donacionin e 50 respiratorëve për Kosovën në luftën kundër Covid-19.

Lajme
Thaçi ka shkruar në Twitter se së bashku me SHBA-në Kosova do të dalë më e fortë.
“Mirënjohës ndaj presidentit Donald Trump dhe qeverisë amerikane për donacionin bujar të 50 respiratorëve për Kosovë përveç 1.6 milionë dollarëve të ndihmave të mëhershme në luftën kundër Covid-19. Së bashku dalim më të fortë”, ka shkruar Thaçi.
Grateful to President @realDonaldTrump and the U.S. Government for the generous donation of 50 respirators to #Kosovo, in addition to the 1,6M US dollars of previously committed aid to help the fight against #COVID19. Together we will come out stronger! ????
— Hashim Thaçi (@HashimThaciRKS) August 25, 2020
Ambasada e Shteteve të Bashkuara përmes një komunikate për media ka njoftuar se Agjencia e ShBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), i ka dhuruar Kosovës 50 respiratorë tërësisht të rinj dhe nga më bashkëkohorët për të ndihmuar në luftën e saj kundër COVID-19.
Në komunikatën e Ambasadës thuhet se ky donacion paraqet realizimin e ofertës zemërgjerë të presidentit Trump në mbështetje të Kosovës.
“Ky donacion paraqet realizimin e ofertës zemërgjerë të Presidentit Trump për furnizim me pajisje të domosdoshme dhe mbështet Kosovën në përgjigjen urgjente ndaj pandemisë. Respiratorët e markës “Vyaire”, të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, pasqyrojnë teknologjinë më të fundit për të cilën ka kërkesë të madhe. Ata janë kompaktë dhe do t’i mundësojnë Kosovës fleksibilitet më të lartë në trajtimin e pacientëve të prekur nga virusi. Kjo pajisje vitale mund të dëshmohet si shpëtimtare për pacientët mushkëritë e të cilëve nuk funksionojnë si duhet përkundër marrjes se oksigjenit”, thuhet në komunikatë. /Lajmi.net/