Bordi i Telekomit konfirmon dorëheqjen e Hanës dhe emërimin e Kiqinës në vend të saj

Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Telekomit ka konfirmuar së të hënën i ka miratuar dorëheqjet e Burbuqe Hanës, u. d. e Kryeshefes Ekzekutive dhe Feim Kelmendit, u.d i Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit është bërë e ditur përmes një njoftimi, të martën.

Lajme

18/08/2020 14:24

Kelmendi e kishte paraqitur dorëheqjen e tij më 7 gusht.

“Bordi fillimisht nuk kishte aprovuar dorëheqjen, por U.D. ZKFTH nuk ka tërhequr dorëheqjen dhe nuk ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim”, shkruhet në njoftim.

Ndërkohë, Ushtruesja e Detyrës së Kryeshefes Ekzekutive (U.D. KE), Burbuqe Hana kishte njoftuar për dorëheqjen e saj, por, sipas bordit, nuk ka ofruar “arsyetim konkret ligjor. Kërkesa e saj ka qenë largimi i disa konstatimeve të Bordit nga procesverbali i mbledhjes paraprake, lidhur me jo kompetencën dhe pasivitetin e treguar nga Menaxhmenti në situatën e bllokimit te llogarive bankare dhe tërheqjes se mjeteve nga Përmbaruesi”.

“Kërkesa e U.D. Kryeshefes Ekzekutive nuk ishte ligjore dhe si e tillë nuk mund të aprovohej nga Bordi. Në këtë formë dhe me këtë veprim Bordi është gjendur në një situatë të palakmueshme dhe të jashtëzakonshme. U.D. KE ka qenë kategorike në dorëhqjen e saj duke mos pranuar kompromisin me Bordin e Përkohshëm. Andaj duke marrë për bazë faktin se proceduralisht dhe ligjërisht Bordi duhej të vendoste, të njëjtës ia miratoi dorëhqjen duke e liruar nga detyra të cilën e ka ushtruar nga 24 Prill”, shkruhet në njoftim.

“Bordi ka vendosur përkohësisht zëvendësuesit në cilësinë e Ushtruesve të Detyrave deri në publikimin e Konkursit. Ushtrues Detyre i Kryeshefit Ekzekutiv është caktuar Zeqir Kiqina, kurse Ushtrues Detyre i Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit është caktuar Agim Matoshi”, është bërë e ditur nga njoftimi.

Bordi është siguruar që zyrtarët e vendosur si ushtrues të detyrës përkohësisht të jenë të pastër në aspektin ligjor, dhe të njëjtit mund të fillojnë punën vetëm nëse sjellin dëshmi nga Gjykata se nuk janë apo kanë qenë në procedura hetimore.

“Bordi po ashtu ka vendosur që të pezulloj matricën e autorizimeve e cila i jep kompetenca supreme Kryeshefit Ekzekutiv dhe pikërisht nën mbështjetjen e këtij akti ish-Kryeshefat në vazhdimësi kishin nxjerrë vendime të dëmshme për Telekomin duke e sjellur në gjendjen që është. Bordi ka udhëzuar U.D. Kryeshefin e ri që të mos ndërmerr asnjë veprim pa dakordim paraprak me Bordin, dhe këtë nuk mund ta bëj përveç punëve ditore operative për shkak të pezullimit të autorizimeve deri në emërimin e Kryeshefit të ri me Konkurs dhe Bordit të Përhershëm, përmes konkursit publik. Në këtë formë Bordi është siguruar që në këtë kohë krize për Telekomin vendimet do të merren ne formë kolektive dhe llogaridhënia e përgjegjësia do të ngritet në nivelin më të lartë të mundshëm”.

Bordi i përkohshëm i Drejtorëve është i përkushtuar që ndërmarrjen ta drejtojë drejt një përmirësimi gradual dhe të kthej përformacën e saj të dikurshme. Ndërmarrja aktualisht është në një gjendje të rëndë financiare, por me angazhimin e Bordit të përkohshëm të Drejtorëve, menaxhmentit dhe gjithë stafit synohet një qëndrushmeri finaciare, zhvillim të produkteve, stabilitet të rrjetit dhe shërbime sa më cilësore për klientë. /Lajmi.net/