Sarri: Juve duhet të kenë marrë tashmë vendimin për mua

Maurizio Sarri ka folur lidhur me të ardhmen e tij.

Sport

06/08/2020 19:05

Trajneri italian, Maurizio Sarri, i cili aktualisht drejton skuadrën e Juventus, ka dhënë disa komente lidhur me të ardhmen e tij.

Sarri shpeshherë është lidhur me një shkarkim të mundshëm nga posti i trajnerit, megjithatë, ai qëndron i qetë pasi thotë se drejtuesit e Juves tashmë e dinë vendimin.

“Jo”, ishte përgjigja e Sarri i pyetur nëse mendon se kjo (ndeshja kundër Lyon) është ndeshja e tij e fundit si trajner i Juves. “Dhe mendoj se kjo pyetje i bën drejtuesit tanë amatorë, gjë që mendoj se ata nuk janë”, shtoi ai, transmeton lajmi.net.

“Ata duhet të kenë vlerësuar sezonin, dhe nëse kanë vendosur për trajner të ri, kjo nuk bën dallimin nesër”, ka thënë mes tjerash trajneri i Juventus.

Maurizio Sarri ka arritur të fitojë Serie A me ‘Biankoneri’ por këtë e ka bërë me rezultatin më të dobët në aspektin defensiv, në nëntë titujt e fundit që Juve ka fituar. /Lajmi.net/