Guardiola: Nuk kemi nevojë për motivim shtesë që të mposhtim Real Madridin

Pep Guardiola ka folur lidhur me ndeshjen e Ligës së Kampionëve, të cilën Man City e luan kundër Real Madrid.

Sport

26/07/2020 11:09

Manchester City gëzon një epërsi 1:2 nga ndeshja e parë e luajtur në ‘Santiago Bernabeu’, por këtë epërsi skuadra e Pep Guardiola duhet ta ruajë në ‘Etihad’.

Trajneri katalan beson se skuadra e tij nuk duhet të ketë motivim shtesë për këtë ndeshje, pasi vet kundërshtari motivon mjaftueshëm.

“Ajo që unë dua është të bëjmë lojë të mirë. Është finale. Për ne, për Madridin, është finale. Plani është të luajmë pa gabime dhe të luajmë siç dimë ne”, ka thënë fillimisht Guardiola, transmeton lajmi.net.

“Motivimi është të ecim përpara, t’i vërtetojmë vetes se mund të bëjmë ndeshje të mirë dhe të mposhtim Real Madridin. Kjo është e vetmja që mund të bëjmë”, ka shtuar trajneri.

“Kjo ndeshje ka të bëjë me dëshirën. Është Real Madridi. Ne i dimë kualitetet që ata kanë në të gjitha repartet. Lojtarët e njohin Evropën. Nuk është e nevojshme t’u them lojtarëve të mi diçka speciale
“, ka thënë mes tjerash Pep Guardiola.

Guardiola ka një histori rivaliteti me Real Madrid, e cila nis që nga koha kur trajneri ishte pjesë e Barcelonës. Fitorja në Ligën e Kampionëve do të ishte speciale për katalanin. /Lajmi.net/