Çka e sa u privatizua në Kosovë?

Tema e privatizimit të aseteve shoqërorë është rikthyer përsëri në fokus. Por, çka u privatizua dhe sa është numri i aseteve që u shitën gjatë këtyre viteve në Kosovë?

Lajme

15/07/2020 13:12

Me iniciativë të Partisë Demokratike të Kosovës, Kuvendi i Kosovës votoi javën e kaluar themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar i cili do të hetoj dhe zbardh të gjitha privatizimet e bëra në Kosovë, në veçanti keqpërdorimet e mundshme dhe ato me lidhje politike.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, gjatë paraqitjes së kërkesës për Komision Hetimor para deputetëve, kishte thënë se qëllimi i kësaj nisme është që qytetarët e Kosovës të informohen drejt për secilin privatizim që ka ndodhur në Kosovë dhe çdo lidhje politike që kanë personat që kanë privatizuar.

Sipas të dhwnave të AKP-së të publikuara për shitjet e aprovuara nga ana e Bordit të Drejtorëve të AKM/AKP-së me të dhënat nga kontratat e ratifikuara për ndërmarrjet e shitura përmes metodës së 1) SpinOff-it (Spin-Off i Rregullt, Spin-Off Special dhe Spin-Off me kushte) në Valët 1-59 të privatizimit, vlera financiare nga shitja e aseteve ka qenë 744 milionë e 649 mijë euro. Vlera më e madhe e shitjes së aseve ka qenë në Prishtinë me gjithsejtë 288 milionë e 518 mijë euro, pastaj është Gjilani me 160 milionë e 967 mijë euro, Peja me 126 milionë e 241 mijë euro etj, shkruan lajmi.net.

Llojet e aseteve të shitura

Fabrikat janë në vlerën më të lartë të shitjeve, por marrë parasysh potencialin e tyre në të kaluarën, shitja e tyre duket të jetë shumë e ulët. Sipas të dhënave të AKP-së gjithsejtë 148 fabrika janë shitur në vlerë 241 milionë e 902 euro. Më së shumti fabrika janë shitur në Komunën e Gjilanit, gjithsejtë 41 në vlerë prej 76 milionë eurove, në 31 në Prizren në vlerë prej 44 milionë e 265 mijë euro, 30 në Prishtinë në vlerë prej 66.6 milionë euro dhe 30 sosh në Pejë në vlerë prej 36.9 milionë euro.

Numri i tokave bujqësore të shitura ka qenë 725 në vlerë prej148 milionë euro. Më së shumti toka bujqësore të shitura ka pasur Prishtinë, në një shumë prej 64 milionë euro, pastaj në Prizren 29 milionë euro, Pejë 28 milionë, Gjilan 17 milionë, etj.

“Ndërtesa administrative dhe tokë”, nën këtë emërtim janë shitur gjithsejtë 153 asete me çmim prej 87 milionë e 427 mijë euro. 30 këso asetesh janë shitur në Prishtinë në vlerë prej 37 milionë euro, 38 në Pejë në vlerë prej 13 milionë eurove, etj.

Janë privatizuar 485 lokale. Vlera e këtyre aseteve ka qenë 74 milionë e 490 mijë euro. 165 lokale janë shitur në Prishtinë në vlerë prej 31.1 milionë euro, 126 në Pejë, në vlerë prej 13.3 milionë euro, 77 në Mitrovicë, 6.1 milionë euro, etj.

“Depo dhe tokë”, që në totalë është shitur në vlerë prej 99 milionë e 743 mijë euro. Ndonëse për nga numri më i madh i shitjeve prinë Peja me gjithsejtë 32 shitje në vlerë prej 12.4 milionë, vlera e këtyre aseve me çmimin më të lartë është shitur në Prishtinë në vlerë prej 14.4 milionë euro, me vetëm 15 asete të këtij lloji. 8 milionë euro depo dhe tokë janë shitur edhe në Gjilan.

22 hotele janë shitur në vlerë prej 25.4, nga ta 5 hotele janë shitur në Prishtinë në vlerë prej 12.6 milionë euro, 6 janë privatizuat në Pejë në vlerë prej  5 milionë euro, 5 në Prizren në vlerë prej 3.1 milionë euro, 4 në Prizren  në vlerë prej 3.7 milionë euro, 2 në Gjilan në vlerë prej 770 mijë euro.

6.4 milionë euro është vlera e30 zyrave, 19.6 milionë euro është vlera e tokës komerciale, 9.7 milionë euro është vlera e dy qendrave rehabilituese, 335 mijë euro një pompe e derivateve, 1.5 milionë euro dy miniera, 5.7 milionë euro 11 ferma, 2 milionë euro 7 barnatore, etj.

Në cilin vit u shitën asete më së shumti?

Në vitin 2006 janë shitur më së shumti asete, në vlerë prej 147  milionë euro, me spin off special 38.3 milionë euro, me spon off me kushte të veçanta 5.1 milionë euro, me spin off i rregullt 101 milionë euro, 500 mijë me negociata të rregullta. Në vitin 2005 janë privatizuat asete në vlerë 83.6 milionë euro, në 2010 në vlerë prej 79.7 milionë euro, në 2011 në vlerë prej 75 milionë euro, në 2009 në vlerë prej 54.6 milionë euro. Më së paku janë asete të shitura, atëherë edhe kur ka nis privatizim në vitin 2003 në vlerë prej 1.6 milionë euro me spin off të rregullt. Në këtë vit vlera e aseteve të privatizuar, deri në shkurtë është 4.4 milionë euro, ndera vjet 32 milionë euro.

Nga cilat shtete janë investitorët?

Sipas të dhënave të AKP-së, nga 17 shtete të ndryshme janë investitorët që kanë blerë asete shoqërore. Dallimin e madh e bëjnë shtetasit nga Kosova me 1954 blerje në vlerë prej 643 milionë e 591 mijë euro. Në radhë janë shtetasit zviceran me 10 blerje në vlerë prej 32.2 milionë euro, investitorët grekë me 1 blerje në vlerë prej 30 milionë euro shtetasit Maqedoni me 2 blerje në vlerë prej 14.2 milionë euro, amerikanë me 4 blerje ën vlerë prej 7.1 milionë euro, nga Shqipëria me 5 blerje në vlerë prej 6.3 milionë euro, nga Dubai me një 1 blerje në vlerë prej 1.4 milionë euro, etj.

Agjencia Kosovarë e Privatizimit akoma nuk e ka përmbyllur procesin e privatizimit të aseteve shoqërore. Ky proces nuk ka përfunduar akoma. /Lajmi.net/