Tronditëse: Zhaneta u gjet në gjunjë afër divanit, Anisa e mbuluar me copa të ndryshme

Dosja për ngjarjen makabre që tronditi Tiranën, ka mbërritur në prokurori.

Lajme

07/07/2020 15:29

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se çështja është regjistruar për nenin 99 të kodit penal, “shkaktim i vetëvrasjes”.

Ndërsa “Syri.net” ka siguruar një pjesë të raportit të dorëzuar sot në prokurori lidhur me vdekjen tragjike si pasojë e vetëflijimit të nënës dhe vajzës, Zhaneta dhe Anisa Josifi.

Në dosje thuhet se kufoma e shtetases Zhaneta Josifi që ishte e ulur në gjunjë afër divanit të sallonit, ndërsa në dhomën e gjumit, mbi një krevat dopio u gjet kufoma e shtetases Anisa Josifi, e dekompozuar dhe e mbuluar me copa të ndryshme dhe me jorgan.

Tronditëse janë edhe dëshmitë e bëra nga vajza e mbijetuar, Blerta Josifi e cila rrëfen se nëna e saj vdiq më dy korrik duke u lutur për ringjalljen e Anisës. Ajo dhe e ëma mendonin se nëse sakrifikonin veten e tyre, Anisa do ringjallej.

E mbijetuara rrëfen se askush nuk kishte dijeni se motra e sja kishte ndërruar jetë më 27 mars 2019.

Dhe shton se kishte kriza nervore për të cilat po ashtu nuk kishte dijeni askush tjetër veç asaj dhe nënës.

Materiali i referuar në prokurori:

Është përpiluar këqyrja e vendit të ngjarjes, ku është konstatuar kufoma e shtetases Zhaneta Josifi që ishte e ulur në gjunjë afër divanit të sallonit, ndërsa në dhomën e gjumit, mbi një krevat dopio vihet re kufoma e shtetases Anisa Josifi, e dekompozuar dhe e mbuluar me copa të ndryshme dhe me jorgan. Si dhe në banesë është vënë re dhe prezenca e librave të ndryshëm fetar, si dhe shënime të ndryshme të shkëputura nga Bibla në disa fletore. I është marrë deklarim shtetasit Selman Fejzo, në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale. Ai sqaron se është vëllai i Zhaneta Josifit dhe prej disa kohësh motra e tij dhe vajzat kishin filluar të praktikonin besimin fetar. Ai ka deklaruar se ka dy vite që nuk ka kontaktuar me vajzën e vogël dhe sa herë që pyeste motrën ajo I thoshte se nuk gjendej në shtëpi dhe nuk kishte pasur mundësi të kontaktonte me të. Ai tregon se kunati tij Dhimos Paskali kishte ardhur para disa muajsh në polici dhe i kishte thënë që nuk po komunikonte dot me Anisën. Por kur policia i kishte shkuar në banesë shtetasja Zhaneta i kishte thënë se Anisa është në moshë madhore dhe nuk ka pasur mundësi të flas me njerëzit, por është mirë dhe ka ca problem. I është marrë deklarim shtetases Blerta Josifi në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime e cila sqaron se motra e saj Anisa Josifi ka ndërruar jetë në 27 mars të 2019, ndërsa e ëma e saj Zhaneta Josifi ka ndërruar jetë në 2 korrik 2020. Ajo ka treguar se të treja kishin një besim të madh në Zot dhe ishin pjesë e Kishës Ungjillore, por kishin rreth 5 vite që nuk shkonin në Kishë. Blerta Josifi tregon gjithashtu se motra e saj Anisa para se të ndërronte jetë ka ndenjur rreth 52 ditë pa ngrënë. Pasi kishte ndërruar jetë ato nuk i kishin thënë askujt dhe vazhduan ta mbanin trupin në banesë. Blerta sëbashku me të ëmën, Zhanetan e mendonin se nëse do të bënin ritet Anisa do të rikthehej sërish në jetë. Në muajin mars 2020, Blerta sëbashku me nënë vendosën për të mbajtur një agjërim si sakrificë për të rikthyer në jetë Anisën. Nga dëshmia ajo thotë se kanë konsumuar vetëm ujë. Në datën 2 korrik, ajo tregon se nëna e saj Zhaneta është ulur në gjunjë dhe më pas nuk ka reaguar më. Ajo sqaron se asnjë person tjetër nuk kishte dijeni për trupin e Anisës dhe se kushërinjtë i gënjenin. Ajo tregon se Anisa përpara se të vdiste ishte pushtuar nga djajtë dhe ato nuk e çuan asnjëherë për mjekim. Për krizat e saj nervore i dinte vetëm ajo dhe nëna. Ajo shton se asnjë person tjetër s’ka ditur për vdekjen e Anisës, as nga Kisha Ungjillore pasi kishin pesë vite që nuk shkonin’.