Kupa e Italisë: Napoli eliminon Interin, merr biletën për finalen ku pret Juventus

Napoli ka siguruar biletën për finalen e Kupës së Italisë.

Sport

13/06/2020 22:58

Gjysmëfinalja e Kupës së Italisë, ndërmjet Napoli dhe Inter, i ka takuar skuadrës së Napolit, e cila falë epërsisë nga ndeshja e parë, ka mundësinë të luajë në finale.

Ndeshja e dytë, e luajtur në ‘San Paolo’, nisi në favor të Inter. ‘Zikaltrit’ shënuan qysh në minutën e parë, kur Christian Eriksen shënoi direkt nga korneri, shkruan lajmi.net.

Me këtë gol, shpresa e Inter shkoi në maksimum, por ata dështuan që të bënin më shumë deri në fundin e takimit.

Madje, skuadra e Antonio Conte nuk ruajti as këtë epërsi, duke u dorëzuar në minutën e 41’, kur Dries Mertens dërgoi topin në rrjetë, pas një kundërzbritje fantastike të Napoli.

Me këtë gol, Mertens u bë golashënuesi më i mirë në historinë e skuadrës napolitane.

Inter pati disa raste të mira deri në fund të takimit, por Ospina ishte në formë të mrekullueshme dhe priti gjithçka.

Kështu, Napoli do të përballet me Juventus në finalen e Kupës së Italisë, pas katër ditësh. /Lajmi.net/