Vihet në veprim “kryeministri në pritje”, ia shpjegon FMN-së planin e tij për rimëkëmbje ekonomike
I mandatuari i LDK-së për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti zhvilloi sot një video konferencë me shefin e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën Gabriel Di Bella.
Lajme
Siç u tha në komunikatën e LDK-së, Hoti zyrtarëve të FMN-së, ua sqaroi idenë e tij për rimëkëmbjen ekonomike pas tronditjes që pësoi ky sektor nga pandemia, transmeton lajmi.net.
“Z. Hoti dhe përfaqësuesit e FMN diskutuan për zhvillimet e fundit në vend, veçanërisht për efektet e pandemisë COVID-19 në ekonomi. Me këtë rast, Z. Hoti sqaroi për ta idetë e tij për rimëkëmbjen e ekonomisë pas tronditjes ekonomike të krijuar nga pandemia, ndërsa përfaqësuesit e FMN-së sqaruan mënyrat e mbështetjes që FMN-ja do ta ofrojë për Kosovën përfshirë edhe gjithë rajonin. Të dy Z. Hoti dhe Z. Di Bella ranë dakord se politikat për të rimëkëmbur ekonominë duhet të kenë një mbështetje të gjerë, të jenë të synuara mirë dhe të jenë konsistente në ruajtjen e stabilitetit makro-financiar”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, LDK njofton se Hoti me zyrtarët e FMN-së u dakordua për nevojën për të kufizuar rreziqet fiskale, dhe nevojën për shkëmbimin e ideve të tilla konstruktive dhe të hapura.
“Ata më tej ranë dakord për nevojën për të kufizuar rreziqet fiskale.Z. Hoti dhe përfaqësuesit e FMN u pajtuan se shkëmbimin e ideve të tilla konstruktive dhe të hapura janë më se të duhuranë këtë kohë si dhe u zotuan për vazhdimin e këtij dialogu”, përfundohet në njoftim. /Lajmi.net/