Kurti: Parku për Inovacion dhe Trajnim, një hap drejt transformimit të ekonomisë
Në Prizren është përuruar Parku për Inovacion dhe Trajnim (PIT).
Lajme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, ministrja e ekonomisë, Rozeta Hajdari, zëvendësministri i Financave dhe Transfereve, Ilir Aliu dhe ambasadori gjerman, Christian Heldt, kanë inauguruar Parkun për Inovacione dhe Trajnim në Prizren.
Ky objekt që tashmë është shndërruar në Park dikur ishte pjesë e KFOR-it gjerman.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fjalimin e tij ka bërë të ditur se Kosova do të investojë 11.19 milionë euro në këtë Park, raporton lajmi.net.
Më poshtë ju sjellim ju pjesë të fjalimit të Kurtit:
Sot të gjithë së bashku jemi mbledhur këtu për inaugurimin e Parkut Inovativ Trajnues në Prizren. Jam tejet i lumtur për inaugurimin e këtij Parku pavarësisht situatës në ë cilën na ka sjellë pandemia COVID-19. Siç e dini, bashkëpunimi i Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë ka një histori të gjatë që buron që nga lidhjet ndërmjet popujve tanë e deri te mbështetja gjermane për çlirimin e Kosovës. Kontributi i pasluftës në rolin e paqes dhe ndërtimin e institucioneve të Kosovës është vlera më e lartë e cila ka mundësuar që sot një kamp i dikurshëm ushtarak të shndërrohet në nyjë ndërlidhëse ndërmjet bizneseve vendore dhe atyre ndërkombëtare, ndërmjet sistemeve arsimore profesionale dhe kërkimore. Kështu po hedhim një hap të madh në transformimin e ekonomisë dhe të shoqërisë duke u orientuar në teknologji informative që na bën pjesë të revolucionit të katërt ekonomik. Kemi Prizrenin me një kulturë dhe traditë të lashtë dhe tash po i ofrojmë një perspektivë të rinjve mu këtu që të zhvillojnë aftësitë dhe talentet e tyre duke u ndërlidhur përmes këtij parku me tregun dinamik botëror të punës. Qeveria gjermane dhe Qeveria e Kosovës janë të përkushtuara që në një plan afatmesëm dhe afatgjatë të mundësojnë një gjë të tillë dhe për këtë kemi ndërmarrë veprime që mundësojnë funksionalizimin e këtij Parku përfshirë këtu vendimin e fundit mbi zotimin për të ndarë tokën e KFOR-it gjerman për Parkun Inovativ Trajnues kosovaro-gjerman. Në frymën e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë kemi besim të plotë mbi menaxhimin nga GIZ-i e cila besoj që do të kontribuojë në ndërtimin e Parkut të vetqëndrueshëm ndryshe prej çka kemi pasur në Kosovë viteve të fundit. Për shkak se Parku paraqet një projekt qeveritar të rëndësisë së madhe, parashihet që qeveria jonë të kontribuojë me marrëveshjen e bashkëfinancimit në shumë totale prej 11.19 milionë euro e cila është në negocim e sipër midis ekipeve tona. Si një platformë tejet e veçantë për investime në ndërmarrje ‘start ups’ dhe institucione trajnimi ITP-ja do të hap shtigje të reja posaçërisht për rininë tonë dhe ndërmarrjet që kanë për fokus teknologjinë, industrinë e kulturës dhe kreativitetit, agrokulturën dhe procesimin e ushqimit. Për të gjitha këto Prizreni paraqet një qytet kyç dhe shembull, duke marrë parasysh numrin e banorëve, historinë e pasur dhe traditën kulturore por edhe zhvillimet e reja që po i ndjek qyteti dhe Kosova në përgjithësi. /Lajmi.net/