Kompanitë e transportit rrugor nuk e kanë të qartë vendimin e qeverisë për qarkullim me leje të veçanta

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se nga dita e hënë do të ketë hapje më të madhe të ekonomisë dhe lëvizje të shtuar të qytetarëve meqenëse do të hyjmë në Fazën e 2 të lirimit të masave.

Lajme

16/05/2020 15:01

Qeveria ka njoftuar dje se në mesin e masave të lehtësuara, pritët të startojë edhe transporti urban dhe ndër-urban (me leje të veçanta). Por, kompanitë e transportit rrugor nuk e dinë nëse do të dalin këtë të hënë në rrugë me autobusët e tyre, shkruan lajmi.net. Kjo ngase, pos vendimit të plasuar nga ana e qeverisë, askush nuk i ka kontaktuar për t’u dhënë sqarime se çka ka dashur të thotë qeveria me termin “leje e veçantë”.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj tha për lajmi.net se në aspektin ligjor e kupton se çka është “leja e veçantë”, por nuk e di nëse qeveria ka aluduar në atë, apo në diçka tjetër.

“Këshilli drejtues i transportit rrugorë e ka mbajtur dje një mbledhje në Oden Ekonomike, ku kemi pasur një pikë të vetme të rendit të ditës “Gjendja e transportit rrugor”, ka qenë e ftuar edhe ministria e linjës. Më pas, në orët e vona kemi parë një deklaratë nga kryeministri në ikje, ku si masë lehtësuese është përfshirë edhe transporti rrugor, ku u tha se do të lejohet qarkullimi me leje të veçantë. Bazuar në ligjin 04 L 179, përkufizimi për “leje të veçantë” nënkupton atë leje e cila kryen shërbime të cilat janë të kontraktuara për nevojat e një fabrike, apo të një ndërmarrjeje publike apo private në mënyrë që të bëhet transporti i punëtorëve të tyre.  Ose punëtorët e asaj kompanie që gravitojnë brenda një komune, atëherë kompetent për lëshimin e lejes së veçantë për transportin e asaj fabrike ose ndërmarrje është komuna”, tha Kurtishaj.

Sipas tij, kur kemi të bëjmë më një ndërmarrje më të madhe që ka të punësuar nga komunat e ndryshe, dhe ajo ndërmarrje e kontrakton një kompani të transportit, atë leje e lëshon Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit.

“Me ligj është e përcaktuar kështu. A ka menduar diçka tjetër qeveria ajo është punë tjetër, por unë si kryetar i shoqatës nuk e di as nuk kam parë shpjegime. Pra, unë fola në bazë të asaj se çka është leja e veçantë sipas ligjit. Dje edhe sot kam pasur presion shumë të madh nga kompanitë e transportit rreth asaj se çka po bëhet, si po fillon puna. Nuk ka një koordinim ndërinstitucionale, e besa mundemi të themi lirisht se nuk e dinë as vetë se çka po bëjnë”, shtoi tutje Kurtishaj.

Ai tha se, transporti rrugor është njëri prej sektorëve më të dëmtuarve dhe askush nuk është marr më të. “Po e them përsëri, po supozojë nëse kanë menduar qe transporti me leje të veçantë të zhvillohet me leje të veçantë, është e papranueshme për ne”.

Sipas tij, humbjet prej ndaljes së qarkullimit për transportuesit rrugorë kapin shifrën e miliona eurove.

“Akoma s’është bërë një analizë e saktë e dëmit që është shkaktuar, por dëm për mosdaljen në vendet e punës, e që po flasim për afërsisht 2 000 mijë autobus, duke përfshirë amortizimin e tyre dhe skadimin e afatit të sigurimit e regjistrimit, kurse 10 mijë të punësuar direkt që e kanë një rrogë mesatare nga 350 euro e që është edhe më e lartë në llogaritje bëjnë 3 milionë e 500 mijë euro dhe kur llogarisim dy muaj vetëm për paga të tyre, janë 7 milionë euro vetëm paga për të punësuarit. Ndërkaq, dëmi në total, në bazë të një përllogaritje të thjeshtë, del se është afërsisht 50 milionë euro, mirëpo akoma s’mund të flasim saktësisht për dëmin e shkaktuar pa kaluar pandemia”, u shpreh ai.

Pos transportit urban, me leje të veçantë do të mund të lëvizin edhe autobusët urban.

Lulzim Rexhepaj, kryshef i Ndërmarrjes Publike të Komunës së Prishtinës “Trafiku urban” ka thënë për lajmi.net se po presin sqarime shtesë për të parë nëse do të lëvizin të gjithë autobusët urbanë nga e hëna në kryeqytet.

“Jemi në pritje nga Komuna e Prishtinës për të na dhënë sqarime më të detajuara se cilat linja do të startojnë, të gjitha, apo vetëm disa. Kjo pasi, njoftimi i Qeverisë ka paraparë një leje të veçantë për transportin publik, e komuna është organi më i autoritetshëm se ne e që na mbikëqyr. Ne i kemi bërë gati të gjitha njoftimet nëpër autobusë me rekomandime se si të ulën dhe si të hipin në ta. Jemi gati më të gjitha kapacitet që të startojmë nga dita e hënë. Pra nuk e kemi ende të qartë se me sa autobusë do të startojnë. Por, ajo që dihet është se në këtë fazë në autobusë do të mund të hipin vetëm 20 udhëtar”, tha Rexhepaj. /Lajmi.net/